Kurti: Adresa për të ushtruar trysni duhet të jetë Beogradi, jo Prishtina

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se adresa ku duhet të bëhet trysni sa i përket situatës së krijuar në veriun e Kosovës, është Beogradi që nuk po distancohet nga krimet e Sllobodan Milosheviçit, dhe jo Prishtina, që sipas tij është kryeqyteti i shtetit më demokratik në Ballkanin Perëndimor.

Edhe këtë të shtunë, Kurti ripërsëriti qëndrimini se protestuesit që sulmuan ushtarët e KFOR-it, Policinë e Kosovës dhe gazetarët ditët e fundit në veri, duhet të përballen me drejtësinë, në mënyrë që në të ardhmen të ketë zgjedhje të lira.

Thirrjen për shtensionimin e situatës në këtë zonë, Kurti e bëri në fshatin Muhoc të Ferizajt, gjatë vendosjes së gurit të themelit të shtëpisë së familjes gorane përfituese e mbështetjes së Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.

“Sundimi i ligjit duhet të vlejë për të gjithë, nuk mund të ketë asnjë pakicë të privilegjuar dhe të gjithë qytetarët, shumica shqiptare, komunitetet joshumicë, duhet të çlirohen prej elementeve të ndryshme që kanë ideologji ekstremiste dhe bëjnë sulme të dhunshme ndaj shtetit tonë dhe organeve të tij.

Nuk mund të ketë kryetarë të rinj pa zgjedhje të reja dhe zyrat e ndërtesave e komunave në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok janë asete të Republikës së Kosovës. Gjithçka është duke shkuar drejt normalizimit dhe kjo do të mund të bëhej edhe më shpejt po të mos ishin obstruksionet e Beogradit.

Për t’u bërë normalizimi, adresa ku duhet të bëhet trysnia nuk është Prishtina, që është kryeqyteti i shtetit më demokratik e me policinë më profesionale në Ballkanin Perëndimor, por është Beogradi, i cili duke mos u distancuar nga krimet e Millosheviçit, dëshiron të kthehet prapa në kohë për ta ndryshuar rezultatin e luftës më 1999 që rezultoi me kapitullim të Serbisë dhe për ta ndryshuar edhe rezultatin e vitit 2008 kur ne shpallëm pavarësinë dhe morëm njohjet ndërkombëtare të botës demokratike”, tha ai.