Lëshim i shpejtë dhe efikas i pasaportave në ambasadën e Maqedonisë në Berlin
Ministria e Punëve të Jashtme bëri të ditur se vendosja e stacionit bazë për lëshimin e dokumenteve të udhëtimit në Ambasadën e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Berlin ka filluar t’i japë rezultatet e para dhe për më pak se një muaj, sipas pohimit të ambasadorit Ramadan Nazifit, mbi 200 persona janë fotografuar, ndërsa rreth 70 shtetas tonë tashmë kanë marrë pasaportë të re.
“Ambasadori thekson se me stacionin bazë tejkalohet një ndër problemet më të mëdha dhe më të vështira me të cilat diaspora dhe ambasada përballeshin. Për procesin efikas dhe të lehtësuar për marrjen e dokumenteve të udhëtimit në ambasadat me ndihmën e sistemit të ri, dëshmojnë edhe shtetasit tanë të cilët tashmë e kanë ndjerë këto përfitime”, kumtoi MPJ-ja.
Krahas komenteve të shumta pozitive që vijnë nga rrjeti diplomatik, por edhe nga diaspora, theksohen përfitimet e marrjes së dokumentit të ri të udhëtimit në Ambasadë, pa pasur nevojë për shpenzime shtesë dhe udhëtime për në vendlindje. Duke e komentuar përshpejtimin e procedurës, një shtetas i ynë ka theksuar se është një lehtësim për të gjithë sepse në dokumentacion është theksuar se pasaportën e tij e re do ta marrë për tre deri katër javë.
Ministria e Punëve të Jashtme në vazhdimësi po angazhohet për përmirësimin e shërbimeve për qytetarët tanë që jetojnë jashtë vendit. Në këtë drejtim, për herë të parë, në përfaqësitë tona diplomatike dhe konsullore janë vendosur nëntë stacione bazë dhe katër stacione mobile
“Synimi i Ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani është që në periudhën e ardhshme ta avancojë këtë projekt, duke e rritur shtrirjen e ambasadave, të cilët do t’ua ofrojnë këto shërbime qytetarëve tanë” thekson MPJ-ja në kumtesë.