MaqedoniTop Lajme

Xhaferi: Hapet rruga për bashkëpunim me Emiratet e Bashkuara Arabe

Shpërndaje

Marrëdhëniet mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Emirateve të Bashkuara Arabe mund të vlerësohen si të shkëlqyeshme. Kemi potencial për bashkëpunim nga aspekti politik, ekonomik, social, kulturor, nga të gjitha aspektet dhe rekomandim është ai të intensifikohet. Parlamentet janë liruar nga shumë procedura dhe prandaj është më lehtë të vendoset ai bashkëpunim parlamentar dhe të hapë rrugë për institucionet e tjera, deklaroi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në EBA.

Kjo vizitë, shton ai, përputhet me 25-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Emiratet e Bashkuara Arabe, por për fat të keq në këtë periudhë nuk i është kushtuar rëndësi bashkëpunimit në nivel më të lartë mes dy shteteve, edhe pse marrëdhëniet mund të vlerësohen si të shkëlqyeshme.

“Vizita ime është e para në këtë nivel të parlamenteve dhe mendoj se kjo është hapje e rrugës për institucionet e tjera dhe të këmbejnë vizita adekuate”, theksoi Xhaferi.

Nga komunikimi me Parlamentin, siç theksoi, dallimi është i madh për nga mënyra e funksionimit të institucionit dhe për nga mënyra se si bëhet anëtar i Këshillit federal nacional të EBA-së.

“Për dallim tek ne, këtu jeta shoqërore nuk është e organizuar me parti politike, këtu prej vitit 1981 kur janë bashkuar shtatë emiratet, vendosën për sistem jopartiak të funksionimit, Nga 40 deputetët, 20 zgjidhen në zgjedhje të lira, përderisa 20 caktohen nga emirët. 50 për qind janë gra, 50 për qind burra. Sesioni parlamentar fillon me shtatë emirët, të cilët e hapin sesionin vjetor dhe fillon funksionimi i Parlamentit”, thotë Xhaferi.

Ajo, që duhet ta kemi parasysh, thekson ai, është mënyra tjetër e jetës dhe vendosja e marrëdhënieve mes qytetarëve të cilët jetojnë në EBA.

“Këtu jetojnë mbi 200 bashkësi etnike dhe të gjithë jetojnë në harmoni dhe i kanë të drejtat e veta. Ka mjaft resurse që i shfrytëzojnë, ndërsa të rinjtë të cilët kanë shkuar jashtë për t’u shkolluar, i kanë kthyer prapa dhe i kanë vënë në funksion të institucioneve shtetërore dhe kapaciteteve ekonomike”,shtoi Xhaferi.

Kryetari i Kuvendit thotë se përfaqësues të pushtetit tonë ekzekutiv, përkatësisht Qeveria, duhet të bashkëpunojnë me përfaqësuesit e këtushëm dhe të këmbejnë përvoja me ta.

“Pa marrë parasysh mënyrën e organizimit të punës së parlamenteve, ata kanë shumë baza mbi të cilat mund të punojnë, edhe sipas grupeve të miqësisë edhe sipas komisioneve adekuate që i formojnë. parlamentet mund të bashkëpunojnë në mënyrë bilaterale, mund të bashkëpunojnë në mënyrë multilaterale. Në të vërtetë, në Madrid, do të kemi mundësi të shihemi edhe në mënyrë multilaterale, kështu që atje nëse kemi nevojë për mbështetje të ndërsjelltë për anëtarësimin tonë në Unionin interparlamentar, atje ku ka nevojë për mbështetje mund të bashkëpunojmë dhe të këmbejmë mbështetje me institucionin adekuat”, tha Xhaferi.

Përndryshe, Xhaferi sot në Dubai e vizitoi Pavijonin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në “Dubai Ekspo 2020”, hapësirë ku janë prezantuar bukuritë unikale dhe monumentet e vendit tonë dhe i cili prej 1 tetorit kur ishte hapur, deri më tani e vizituan rreth 50.000 vizitorë. Në periudhën prej 1 tetorit 2021 deri më 31 mars 2022, Republika e Maqedonisë së Veriut prezantohet në EKSPO 2020 në Dubai, me slloganin “Shtëpi në çdo hap”, ndërkaq nën moton “Mundësi të reja”.

“Mendoj se në mënyrë adekuate është prezantuar veçantia ynë si shtet. kemi mundësi të prezantohemi në nivel botëror, duke pasur parasysh që mbi 190 shtete prezantohen në Dubai Ekspo, është bërë punë e mirë me praninë këtu dhe me këtë praktikë duhet të vazhdohet”, tha Xhaferi.

Bekri Ajdini, komisar i përgjithshëm për Republikën e Maqedonisë së Veriut në Duabi Ekspo 2020 theksoi se vendi me pavijonin e vet prezantohet si rrëfim i suksesshëm, vend me trashëgimi të pasur historike dhe kulturore, ku në harmoni jetojnë bashkësi të ndryshme etnike. Është prezantuar si destinacion atraktiv turistik në të gjitha katër sezonet, që ofron mundësi për sporte avanturiste dhe ushqim të shijshëm. Theks i posaçëm është vënë në prezantimin e vendit si destinacion i mundësive për investime të huaja, volitshmëri afariste dhe bashkëpunim ekonomik dhe tregtar. Me panele shtesë janë prezantuar edhe zonat e lira ekonomike, mundësitë për bashkëpunim në bujqësi, energjetikë dhe të ngjashme.

Republika e Maqedonisë së Veriut do të jetë në qendrën e vëmendjes botërore më 22 shkurt 2022, kur në kuadër të EKSPO 2020 Dubai do të mbahet manifestimi kulturor qendror dhe forumi i biznesit për promovimin e mundësive të investimit.

Xhaferi dhe delegacioni i Kuvendit i vizituan edhe pavijonet e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe të Arabisë Saudite.

Në kuadër të vizitës së parë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, kryetari i Kuvendit u prit dhe pati takim bilateral me nikoqirin e tij, spikerin ne Kuvendit federal nacional, Sagar Al Gobash. Në delegacionin kuvendor që kryesohet nga Xhaferi, janë edhe kryetari i Grupit të deputetëve për bashkëpunim të Kuvendit me parlamentet e vendeve nga Lindja e Afërt dhe Gjiri Persik, deputeti Hysni Ismaili, dhe deputetët Darko Kaevski dhe Bedri Fazli. Në parlamentin në Abu Dabi ata patën takim me kolegët e tyre nga Komisioni për bashkëpunim me parlamentet nga vendet evropiane nga Këshilli federal nacional.

Kjo është vizita e parë zyrtare e kryetarit të Kuvendit në EBA, e cila përputhet me 25-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, si dhe me shënimin e 50-vjetorit të themelimit të shtetit që festohet më 2 dhjetor.