Protesta e fermerëve, Rama: Jeni keqinformuar, ja pse e hoqëm rimbursimin 6%
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me protestën që u zhvillua pak ditë më parë nga fermerët në Lushnjë, pas heqjes së rimbursimit në masën 6%.
Gjatë fjalës së tij në prezantimin e buxhetit për fermerët të ministrisë së Bujqësisë për vitin 2022, kreu i qeverisë tha se shumica e fermerëve kanë qenë të painformuar.
Ai dha edhe arsyet se pse u hodh ky rimbursim, që sipas tij shkonte më shumë te grumbulluesit.
“U jam mirënjohës atyre që kanë ardhur na Dibra, apo nga pjesa e jugut të vendit. Dua të prek disa elemente pa hyrë në të gjitha ato që parashtroi ministrja. Dua ta nis nga elementi që ka krijuar konfuzionin e pragut të miratimit të buxhetit, i materializuar edhe në disa protesta të cilat janë legjitime. Por për të cilat besoj se ata që kanë marrë pjesë në një masë të madhe janë të keqinformuar. Çfarë ka ndodhur në fakt.
Është e thjeshtë në shifra. Pse ne kemi vendosur që ta heqim atë rimbursimin e 6% dhe çfarë do të bëjmë me atë masë parash që përdorej për të. Këto janë të nevojshme për të kuptuar se është hedhur një hap para dhe jo një hap pas. Duke vendosur atë skemë rimbursimi 6% kemi synuar që përmes shfrytëzimit të kapacitetit logjistik të grumbulluesve, të çojmë paratë të fermeri, në raport me prodhimin e grumbulluar. Shifra në fund fare ka rezultuar modeste, por një shifër e kontrolluar nga disa grumbullues të mëdhenj dhe jo të fermeri.
Duke qenë se në këtë fazë, në këto vite sistemi i grumbullimit ka përfituar nga mbështetja e qeverisë, nga AZHBR, dhe duke qenë se grumbulluesit janë një forcë në treg, besoj se grumbulluesit do ta mirëkuptojnë këtë që po them. Jo vetëm që nuk jemi kundër tyre, por kemi bërë çmos që t’i mbështesim. Ajo shumë që në fund fare ka rezultuar rreth 9 mln dollarë, të transferohet drejtpërdrejtë në buxhetin e bujqësisë dhe në vend se sa të shpenzohet përmes një sistemi jo transparent dhe të paqartë rimbursimi, ku pjesa dominonte e këtyre kontrollohet nga grumbulluesit, të shkohet te buxheti, duke iu dhënë buxhetit të ministrisë së Bujqësisë.
Një sektor, i cili gjatë një viti prek shifrën e 3.5 mld sa mund të impaktohet nga vetëm 9 mln. Flas për 3.5 mld dollarë. Me këto 9 milionë ne mund të bëjmë shumë duke ia shtuar masës së financimit të bujqësisë, duke synuar produktivitetin. Për të ardhur këtu, është me rëndësi që të kuptohet se sa më shumë kalon koha dhe sa më shumë strukturohet së brendshmi sektori me grumbullues, prodhues të fuqishëm, tregtues, aq më e pamundur bëhet që në këtë sektor të jetosh dhe të mbijetosh i vetëm. Është tregu që kërkon krijimin e sinergjive.
Aty ku shikohet sukses, shihen sinergji të krijuara mes atij që është në parcelë, atij që e grumbullon dhe ata që e shesin. S’mundet dot që të shkosh më tutje duke qëndruar te parcela jote, duke prodhuar për pjesën tënde dhe natyrshëm do të dalësh në rrugë dhe do të kërkosh nga qielli që të të shitet prodhimi, pasi nuk shitet. Edhe për grumbulluesit, për prodhuesit, për agro-përpunuesit, është më rëndësi që të jenë të orientuar për të kuptuar tregun dhe për të mosprodhuar në drejtime që rezultojnë se janë në kundërshti me tendencën e tregut.
Molla starkinge është një nga shembujt më domethënës se si mund të shkosh ti biesh murit me kokë, pa e lexuar tendencën e tregut. Po ça të bëjë shteti? T’ua blejë? Nuk është shteti që ble dhe garanton tregun, por sipërmarrja bujqësore, tregu vetë dhe mirëkuptimi nga ana e sipërmarrjeve dhe tendencave të tregut. Ajo që bën shteti është lehtësimi i këtyre fazave duke rritur informimin, kapacitetin dhe mbi të gjitha, duke u fokusuar te fondet, aty ku tregu është interesant për fermerin. Kur flasim për produktivitet, flasim për maksimizimin e këtyre fondeve, duke investuar të atyre që rrisin produktivitetin. Flasim për një realitet që është në Shqipëri prezent, nga veriu në jug. Për fat të keq këta shembuj nuk bëjnë lajm, por falë këtyre shembujve sot kemi një rritje të prodhimeve”, tha Rama.