Diaspora kërçovare pasi i siguroi Deharit fitoren, adresojnë kërkesat e tyre!
Diaspora e Kërçovës ka dërguar letër deri te redaksia e TV21, me anë të cilës duan që publikisht t’i adresojnë kërkesat e tyre ndaj kryetarit aktual të Kërçovës, Fatmir Dehari.
Vlerësojnë se me 2697 votat të cilat i siguruan si diasporë dhe votuan “pro” Deharit, kanë siguruar fitoren e të njëjtit dhe të shqiptarëve edhe për një mandat, pasi siç thonë, ishte kandidati i vetëm shqiptar.
Në këmbim të kësaj, ata adresojnë kërkesa deri te Dehari të cilat kërkojnë që të realizohen, pasi siç thonë, “është koha e fundit, që Kryetari i Kërçovës dhe subjekti i tij politik, të lexojë drejt rezultatet e zgjedhjeve”.
Më poshtë letra e plotë e diasporës:
FALEMINDERIT KËRÇOVË, FALEMINDERIT DIASPORË
Bashkatdhetarë nga Diaspora dhe juve bashkëvendës nga Vendlindja, faleminderit që iu përgjigjët thirrjes së Diasporës së Bashkuar Kërçovare për të bashkuar votën, në rrethin e dytë të zgjedhjeve, dhe kështu fitoi Kërçova për të tretën herë me radhë.
Në momentin e fundit dhe si gjithherë, Diaspora i erdhi në ndihmë Vendlindjes, Kërçovës së saj të shenjtë dhe vuri në vend vullnetin e shumicës demokratike dhe politike. Pavarësisht se përfaqësimi politik shumicë injoroi dhe përçmoi vullnetin, rëndësinë dhe vendosmërinë e Diasporës për të mos lejuar nëpërkëmbjen e Kërçovës.
Është koha e fundit, që Kryetari i Kërçovës dhe subjekti i tij politik, të lexojë drejt rezultatet e zgjedhjeve.
Diaspora erdhi të votojë, në rrethin e dytë, jo për parti politike, as për emra të përveçëm por për të vetmin kandidat shqiptar, cilido që të ishte ai.
Diaspora kontribuoi me 2697 vota, pa të cilat kundërkandidati do të fitonte me 487 vota epërsi.
Pa 2697 VOTAT e Diasporës kandidati shqiptar do të kishte rreth 10303 vota ndërsa kundërkandidati 10824.
Diaspora e dëshmoi, për të satën herë, dashurinë atdhetare për Kërçovën dhe pjekurinë e saj kombëtare.
Kryetarit të Kërçovës i bëjmë ftesë që të respektojë institucionin e tij dhe me modesti e përkushtim të punojë dhe të vihet në shërbim të të gjithë qytetarëve, sëbashku me administratat komunale.
Dyert e institucioneve të Kërçovës, bashkë me Kryetarin e saj, të jenë të hapura për të gjithë qytetarët pavarësisht nga përkatësitë e tyre, qofshin ato nga Vendlindja apo nga Diaspora.
Qëndrimi i deritanishëm: « është me ne apo s’është me ne » për Diasporën e Bashkuar Kërçovare është i papranueshëm dhe si i tillë shumë i dëmshëm.
Kryetari e ka për detyrë të mirëadministrojë të gjitha të mirat materiale, kompetencat dhe burimet njerëzore në të mirë të qytetit të Kërçovës.
Kërkojmë që Kryetari dhe subjekti i tij politik, të adresojnë dhe ngrejnë në nivelin e problemeve për zgjidhje çështjet si vijojnë :
- Pastrimi dhe trajtimi i plehrave,
- Ndotja e ambientit jetësor-filtrimi i gazrave të ndotur që hidhen në natyrë -TEK Osllome,
- Përfundimi i ndërtimit dhe kompletimi i spitalit të Kërçovës, mbetur muze,
- Qentë endacakë.
- Furnizimi me ujë të pijshëm dhe kanalizimet, si në rrethin e Zajazit për shembull.
Këto janë disa nga dosjet e ngutshme që Diaspora e Bashkuar Kërçovare shpreson se Kryetari do t’i shqyrtojë me kujdesin më tê madh.
DIASPORA E BASHKUAR KERÇOVARE