Suspendohen dy doganierë! Nuk evidentuan daljen e autobusit të aksidentuar
Nga Dogana e Maqedonisë së Veriut njoftojnë se kanë suspenduar dy doganierë, pasi të njëjtit nuk kanë evidentuar daljen e autobusit të aksidentuar në Bullgari, shkruan TV21. Nga ky institucion thonë se doganierët kanë shkelur nenin 49 të Ligjit për Transportin Rrugor.
“Nga konstatimet fillestare nga kontrolli i brendshëm rezulton se me datë 18.11.2021, doganierët nuk kanë evidentuar në mënyrë elektronike daljen e automjetit me targa SK0284BA të transportuesit BESA Trans nga Shkupi, është bërë vetëm verifikimi i listës së regjistruar për transport të udhëtarëve”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Doganës.
Autoritete doganore njoftojnë se përveç suspendimit të dy doganierëve, do pësojnë masa sanksionuese edhe për udhëheqësin e tyre.
“Për parregullsitë e konstatuara në aksionin e deritanishëm, për dy doganierë të cilët kanë qenë në detyrë në momentin e daljes së mjetit nga vendi do të merren masa e suspendimit nga vendi i punës, ndërsa për drejtuesin e tyre do të vijojë masa e sanksionit”, thuhet në njoftimin e Doganës.