MaqedoniTop Lajme

Përfundoi analiza e ADN-së në Shkup, rezultatet do t’ju dorëzohen hetuesve bullgarë

Shpërndaje

Instituti i Mjekësisë Ligjore në Shkup ka përfunduar procedurën për marrjen e materialeve biologjike nga familjarët, me qëllim që të ndihmohet në identifikim e viktimave në aksidentin tragjik në Bullgari. Rezultatet e marra nga analiza e ADN-së nesër do t’u dorëzohen organeve bullgare të hetimit, që duhet të vijnë në Shkup. Është paralajmëruar se në vend duhet të vijë prokurori kryesor Ivan Geshev dhe hetues nga Bullgaria, shkruan DW, transmeton Portalb.mk.

Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Aleksandar Stankov, i cili ditëve të kaluara ka qenë në Bullgari, tha për DW se, është kah fundi edhe obduksioni i trupave që e kryejnë kolegët bullgarë. Pas dyshimeve të sotme që i ngritën hetuesit bullgarë se në autobus janë gjetur 44 dhe jo 45 viktima, Stankov thotë se pasi të përfundojë krahasimi i mostrave të ADN-së, do të mund të vërtetohet numri i saktë i viktimave.

“Janë bërë 44 obduksione, por ka edhe mbetje të trupave të cilat do të lidhen me analaizat e ADN-së”, tha Stankov.

Zëdhënësja e prokurorit kryesor të Bullgarisë, Sijka Mileva dhe zëvendësprokurori publik, Borisllav Sarafov sot thanë se, në vendin e tragjedisë janë gjetur 44 trupa. Mileva tha se është takuar me njërin prej të mbijetuarve i cili i ka treguar se si ka thyer xhamin e autobusit dhe se ka shpëtuar tetë persona dhe jo shtatë, siç pretendohej deri më tani.

Supozimet janë se, ose dëshmitari ka bërë gabim, ose udhëtarët janë transferuar nga një autobus në tjetrin dhe është e mundur që në automjet të ketë pasur një udhëtar më pak. Ata paralajmëruan se do të bëjnë kontrolle në vendkalimet kufitare, me qëllim që të vërtetohet se sa persona kanë hyrë dhe sa është numri i udhëtarëve që kanë dalë nga vendi.