Nga 10 janari, udhëtimet në BE vetëm me dozën e tretë
Komisioni Evropian (KE) ka futur dozën e tretë të vaksinës të ashtuquajtur ‘booster’ si parakusht për udhëtim brenda Bashkimit Evropian për qytetarët e të ashtuquajtur botës së tretë, në të cilën përfshihet edhe Ballkani Perëndimor, transmeton REL.
Ky vendim do të hyjë në fuqi nga 10 janari i vitit të ardhshëm, datë nga e cila asnjë udhëtarë nuk do të mund të hyjë në BE pa dozën e tretë.
Sipas vendimit të këtij institucioni, doza e vaksinës së tretë kundër COVID-19 duhet të jetë marrë më së voni nëntë muaj nga doza e dytë, në mënyrë që udhëtarët të mund të udhëtojnë brenda shteteve të BE-së. Vaksina duhet të jetë njëra prej atyre të miratuara nga Agjencia evropiane për Ilaçe (EMA).
Që nga marsi i 2022-s, BE-ja do të heqë dorë nga qasja e të ashtuquajturave ‘shteteve të sigurta’ me ç’rast shtetet shtoheshin ose largoheshin nga lista varësisht nga situata epidemiologjike.
Lista përditësohej çdo dy javë andaj shtetet shtoheshin ose largoheshin nga ajo. Që nga viti i ardhshëm, udhëtimet do të lejohen në bazë individuale vetëm për personat e vaksinuar me të tri dozat.
“Po largohemi nga qasja bazuar në shtetin drejt qasjes individuale. Kjo nënkupton që të gjithë njerëzit e vaksinuar mund të hyjnë në BE. Nëse jeni të vaksinuar me vaksinë të miratuar nga Komisioni Evropian, mund të udhëtoni në BE”, njoftoi Ylva Jonhansson, komisionere evropiane për Punë të Brendshme.
Reduktime për ato që njihen si udhëtime të parëndësishme, BE-ja i futi në fillim të vitit të shkuar me qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë COVID-19.
Përgjatë sezonit veror këtë vit ishin lehtësuar kushtet për udhëtim por numri në rritje i personave të infektuar me koronavirus detyroi BE-në që sërish të ashpërsojë masat.
Në territorin e Bashkimit Evropian është miratuar përdorimi i vaksinave të prodhuesve Moderna, Pfizer/BioNTech, Johnson and Johnson si dhe Astra-Zeneca.