Aksidenti në Bullgari, flet pronari i “Besa Trans”: Këto sprova janë nga Allahu
Si pasojë e një aksidenti tragjik që ndodhi para pesë ditësh në Bullgari, mbetën të vdekur 46 persona shumica nga ta ishin shqiptarë e në mesin e tyre ishin 12 të mitur.
E tek të dielën lidhur me aksidentin ka folur pronari i “Besa Trans” autobusi i së cilës u aksidentua.
Bekim Haxhiu iu ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave.
Ai tha se kjo është sprovë nga allahu, vullneti i tij nuk mund të ndryshohet.
“Allahu në Xhenet i shpërbleftë shehedlit, të lënduarve shërim sa më të shpejtë, familjarëve sabër ju dhashtë. Këto fjalë i them me pikëllim dhe me zemër të lënduar. Ata ishin edhe familjarë tanë, sepse çdoherë kur kemi udhëtuar i kemi konsideruar . 4 ditë ishim bashkë në Stamboll gjatë shëtitjeve. Shumica e tyre kanë udhëtuar edhe më herët. Këto sprova janë nga Allahu. Vullneti i Tij nuk mund të ndryshohet asnjë minutë dhe lusim Allahun që të mos e sprovojë askënd”, ka shkruar ai në Facebook raporton Alsat-M përcjell Klankosova.tv.
Partia opozitare VMRO-DPMNE, ka kërkuar nëpërmjet zëdhënëses Marija Miteva, të vërtetohet përgjegjësi për faktin se autobusi i “Besa Trans” ndonëse nuk ka pasur leje për transport të udhëtarëve, ka kaluar kufirin. Sipas opozitës kjo tragjedi tregon se sistemi është jofunksional.
“A është më i rëndësishëm koalicioni LSDM-BDI se jeta e qytetarëve? A duhet të marrë opinioni përgjigje nëse është e vërtetë që drejtori Huseini nuk ka lëshuar urdhër për inspektim në pikën kufitare Deve Bair që nga dhjetori i vitit 2020, ndërsa pikat tjera kufitare si Tabanocë, Bllacë, Qafëthanë dhe Bogorodicë janë inspektuar rregullisht nga inspektorët?”.
Autobusi i djegur i “Besa Trans” këtë vit e ka kaluar 113 herë kufirin e Maqedonisë pa leje për transport të udhëtarëve brenda dhe jashtë vendit.
Prokuroria ka marrë tashmë të gjithë dokumentacionin për punën e agjencisë dhe nëse konstaton përfshirjen e dikujt në këtë rast, do të hapë procedurë penale.