28 Nëntori në Luginë, vendosen flamuj kuq e zi në Komunën e Bujanocit (Video)
Me rastin e festës së Flamurit, përvjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, flamuj kuq e zi janë vendosur sot në ndërtesën e Komunës dhe Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Bujanoc.
Siç thuhet, flamurin shqiptar në ballkonin mbi hyrjen e administratës komunale e ka vënë kryetari Nagip Arifi, ndërsa kjo është duartrokitur nga këshilltarët e shumicës shqiptare në Kuvend.
Përveç flamurit të Shqipërisë, aty qëndron edhe flamuri serb dhe ai i Bashkimit Evropian.
Më herët, kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Ragmi Mustafa, ka vënë në pah flamurin shqiptar në ballkonin e ndërtesës së Këshillit në qendër të Bujanocit.
Festimi i 28 Nëntorit ka vijuar me një akademi ceremoniale në Shtëpinë e Kulturës.
Deputeti Shaip Kamberi tha në Parlamentin serb në fillim të kësaj jave se shqiptarët kurrë nuk do të heqin dorë nga simboli dhe identiteti i tyre kombëtar, duke cituar disa vargje të himnit shqiptar.
Për shkelje të ligjit, policia serbe në disa raste në vitet e kaluara i ka ndjekur penalisht Ragmi Mustafën, zyrtarë dhe drejtorë të institucioneve publike, të cilët janë dënuar me gjobë.