Përfshihet nga zjarri një autobus në Fushë-Kosovë
Në mbrëmjen e sotme është raportuar se në zonën industriale në Fushë-Kosovë, një autobus është përfshirë nga zjarri. Sipas Policisë, nuk raportohet për të lënduar.
Incidenti ka ndodhur rreth orës 17:30, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe zjarrfikësit.
Sipas njoftimit të Policisë, janë duke u hetuar rrethanat e ngjarjes.
Sot në një parking në Fushë Kosovë është djegur një autobus i kompanisë “Arditi Tours”.
Një nga përfaqësuesit e kompanisë ka konfirmuar për Express, se autobusi i djegur i përket kësaj kompanie.
Ai tha se nuk ka të lënduar nga ky incident dhe se brenda autobusit nuk ka qenë askush.
Sipas tij, shkaku i zjarrit ende nuk dihet.
“Po është i kompanisë. Nuk e dimë njëherë shkaktarin se pse ka ndodhur. Brenda nuk ka qenë askush dhe nuk ka të lënduar”, ka thënë një nga përfaqësuesit e kësaj kompanie.
Express ka provuar të kontaktojë edhe me zyrtarë për informim në Policinë e Kosovës, por të njëjtit deri në momentin e publikimit të këtij teksti nuk kanë kthyer përgjigje.