RajoniTop Lajme

Zbardhet takimi i zyrtarit amerikan me Ramën/ “Non grata deri në nivelet më të larta në Shqipëri”

Shpërndaje

Kreu i qeverisë Edi Rama ka zbardhur detaje nga takimi 60-minutësh me të Dërguarin e Posaçëm të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të zhvilluar në Kryeministri.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Rama bën me dije se u fol për partneritetin e shkëlqyer mes dy vendeve, si dhe Ballkanin e Hapur, që sipas kreut të qeverisë mbështetet fuqishëm nga presidenti Biden.

Mesazhi i Ramës:

Kënaqësi të mikprisja Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit dhe të Dërguarin e Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një takim shumë miqësor, ku folëm për partneritetin e shkëlqyer mes Shqipërisë e SHBA, rolin e rëndësishëm të Shqipërisë në rajon, dialogun e domosdoshëm mes Kosovës e Serbisë dhe Ballkanin e Hapur, si një nisëm transformuese për ardhmërinë e rajonit, të cilën administrata e Presidentit Joe Biden e mbështet fuqimisht.

***

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit Gabriel Escobar është takuar edhe me kryeministrin Edi Rama.

Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu mëson se zoti Escobar ka pohuar se SHBA në muajt në vazhdim do ta përshkallëzojë luftën me të korruptuarit në Shqipëri deri në nivelet më të larta, por nuk ka dhënë detaje specifike.

Në Tiranë, Gabriel Escobar u prit edhe nga Olta Xhaçka, ministre për Europën dhe Punët e Jashtme e cila thotë se ishte një takim i shkëlqyer duke shprehur mirënjohjen e saj për mbështetjen e SHBA për Shqipërinë dhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Shqipëria, thekson Olta Xhaçka, e mirëpret bashkëpunimin me miqtë dhe partnerët amerikanë për agjendën e rajonit.

Ndryshe nga vizita në Maqedoninë e Veriut nga ku zoti Escobar u takua edhe me presidentit Stevo Pendarovski, në Shqipëri ai preferoi mos të përfshinte në agjendë presidentin Ilir Meta.

Ambasada e SHBA zbardh vizitën e Escobar në Tiranë

Ambasada e SHBA në Tiranë ka zbardhur vizitën dhe takimet e të Dërguarit të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, ku takoi kryetarin e PD, Lulzim Basha, kryeministrin Edi Rama dhe Ministren për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.

Në njoftimin e shpërndarë nga Ambasada thuhet se “Escobar vuri në dukje fokusin e Shteteve të Bashkuara në luftën kundër korrupsionit, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjeve për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor”.

Njoftimi:

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar vizitoi më 9 dhjetor Shqipërinë, ku u takua me kryeministrin Edi Rama, Ministren e Jashtme Olta Xhaçka, kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe udhëheqës të tjerë. Gjatë takimeve të tij, Zëvendës Ndihmës Sekretari Escobar falënderoi Shqipërinë për partneritetin e saj të fortë me Shtetet e Bashkuara dhe rikonfirmoi mbështetjen e fortë të SHBA për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Ai vuri në dukje fokusin e Shteteve të Bashkuara në luftën kundër korrupsionit, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjeve për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor. Escobar mirëpriti forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve SHBA-Shqipëri, bashkëpunimin tonë në fushën e mbrojtjes si aleatë të NATO-s dhe krijimin e më shumë mundësive për tregti dhe investime. Escobar mirëpriti gjithashtu punën e përbashkët midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë për integrimin rajonal dhe global – veçanërisht kur të dyja vendet do të shërbejmë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në 2022.