Kuvendi debaton për buxhetin 2022, Besimi: Buxheti me përgjigje për krizën energjetike dhe pandeminë
Propozim buxheti për vitin e ardhshëm është zhvillimor dhe do t’u përgjigjet sfidave me krizën energjetike dhe pandeminë me COVID-19, thotë ministri i financave Fatmir Besimi duke e arsyetuar propozimin për arkën shtetërore. Parashihet që të jetë 4,4 miliardë euro ndërsa të ardhurat të jenë 3,8 miliardë euro. Deficiti është projektuar në rreth 540 milionë euro, përkatësisht 4.3% nga BPV-ja. Ministri Besimi i prezantoi 4 qëllimet themelore të buxhetit.
“Propozim buxheti për 2022 duke e pasur parasysh këtë kontekst, ka 4 qëllime. Së pari, të vazhdojë kujdesi për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, e dyta, ripërtëritje ekonomike dhe përshpejtim i rritjes, e treta, rritje e investimeve dhe njëkohësisht zbatim i konsolidimit fiskal dhe financim i pandërprerë i funksioneve themelore të shtetit dhe mbështetje e reformave në gjyqësi dhe integrimeve euroatlantike”, tha Besimi.
Opozita me një sërë kritikash se buxheti nuk është zhvillimor, real dhe nuk ka paraparë masa për ballafaqim me krizën energjetike.
“Historikisht ky buxhet është më i lartë dhe më joreal, joreal me shumë shpenzime joproduktive. Buxheti më i madh deri më tani ishte 4.4 miliardë euro. Në këtë buxhet Qeveria nuk ka paraparë mjete për ballafaqim me pasojat e krizës energjetike, të cilën e injoronte për shumë kohë derisa situata nuk u bë më serioze. Qytetarët janë lënë të vetëm. Le të shkojmë hap pas hapi. Ky është një buxhet me deficit të lartë buxhetor prej 4.3% ose 545 milionë euro i cili do të sjellë borxh rekord publik prej 65.9% të BPV-së”, u shpreh Bojan Stojanovski, VMRO-DPMNE.
Debati për buxhetin do të zgjasë më së shumti pesë ditë, pas çka pritet gjatë javës që vjen të vendoset për votim para deputetëve./TV21