RajoniTop Lajme

Qytetarët e Kosovës protestuan për shkak të reduktimeve të energjisë elektrike

Shpërndaje

Dhjetëra qytetarë u mblodhën në një protestë në Prishtinë të organizuar nga një grup qytetarësh dhe aktivistësh civilë për shkak të reduktimeve të vazhdueshme të energjisë elektrike gjatë javës së kaluar, raporton Anadolu Agency (AA).

Protesta filloi para selisë kryesore të Kompanisë Kosovare të Distribuimit të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), ku protestuesit në shenjë proteste hodhën drita në objektin e KEDS-it.

Protestuesit thërrisnin “ngrohja nuk është luks”, “KEDS t’i kthehet Kosovës” e të tjera.

Njëri nga organizatorët e protestës, Dibran Hoxha, para selisë së KEDS-it tha se kërkohet furnizim me energji elektrike 24 orë në shtatë ditë në javë.

“Kanë filluar me nga dy orë reduktime, në vende-vende nga gjashtë orë, nga 12 orë, nga 24 orë. Ama këta janë edhe diskriminues, a e dini pse? Në vendet periferike, në fshatrat e Kosovës, rryma ndalet nga 12 orë nga 24 orë”, tha Hoxha.

Ai gjithashtu tha se kompania KEDS është privatizuar në vitin 2012 për vetëm 26,3 milionë euro, duke theksuar se “ose ata që kanë investuar janë shumë të mençur, ose ata që kanë shitur janë hajna të mëdhenj”.

Liridona Sijarina, njëri nga organizatoret, theksoi se mungesa e energjisë elektrike në të gjithë vendin është e papranueshme, përderisa Qeveria subvencionon KEDS-in dhe pagesën e energjisë elektrike për qytetarët në katër komunat në veri të vendit, të banuara kryesisht me serbë.

Ajo gjithashtu tha se kërkohet dorëheqja e ministres së Ekonomisë, Artana Rrizvanolli, e cila sipas Sijarinas, në çdo fjalim fyen qytetarët, duke thënë se qytetarët përdorin shumë energjinë elektrike.

“Ne po e ripërsërisim kërkesat tona bazë: Ne duam rrymë 24/7, ne duam që ministrja Rizvanolli të shkarkohet menjëherë dhe kjo qeveri të mbajë përgjegjësi për qëndrimet skandaloze që ajo i ka mbajtur deri tash, dhe të na tregojë përfundimisht a është me neve, a është me korporatat”, tha Sijarinas.

Ajo theksoi se protestat do të vazhdojnë deri në plotësimin e kërkesave, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës sa më shumë.

Kufizimet në furnizimin me energji elektrike erdhën si pasojë e avarive në dy blloqe të termocentralit në Obiliq, por edhe për shkak të krizës globale energjetike, mungesës së energjisë elektrike dhe çmimeve të larta në treg.

Kompania KEDS është në pronësi të kompanive Çalik Holding dhe Limak dhe ka filluar të operojë më 8 maj 2013. Në bazë të licencave nga Zyra e Rregullatorit për Energji, KEDS ka ekskluzivitet në shpërndarjen e energjisë elektrike në mbarë Kosovën.