MaqedoniTop Lajme

As Zaevi nuk arriti ta bëjë me kanalizim Haraçinën!

Shpërndaje

Haraçina ende është pa kanalizim të përfunduar. Ka pasur shumë premtime, por afatet gjithnjë janë shkelur. Tani për tani është kryer faza e parë.

Në shkurt të vitit 2020 ish-kryeministri Zoran Zaev shkoi në Haraçinë për të vëzhguar punën e vendosjes së kanalizimit. Gjatë mbikëqyrjes Zaevi u shpreh i kënaqur nga puna e bërë dhe një punëtor tha që për një vit punimet do të përfundojnë.

“Zaev: Sa gypa janë vendosur deri më tani?
Punëtori: Rreth 1500 metra i kemi vendosur.
Zaev: 1500 metra?! Bravo!

Punëtori: Planifikojmë që sistemi me këtë ritëm për një vit të përfundojmë”, tha Zaev më datë 08.02.2020.

Edhe pas dy vitesh projekti i kanalizimit dhe ujësjellësit nuk ka përfunduar e mospasja e ujit të pijshëm vazhdon të jenë sfida kryesore për banorët e Haraçinës.

“As kanalizmi nuk është lëshuar, në rrugët kryesore i kanë vendosur gypat, por në rrugët e vogla jo, nuk punon ende. Ujësjellësi është ndalur prej vitin e kaluar edhe më nuk ka”.

“Problem kryesor është uji edhe kanalizimi, këto janë kryesoret, ujë nuk ka Haraçina”.

“Ujësjellësi… nuk kemi ujësjellës ne e kemi të shpuar, rrallë na vjen, nuk kemi”.

Kryetari i ri i komunës së Haraçinës thotë se sistemi i kanalizimit dhe ujësjellësit është në gjendje alarmante. Ka përfunduar vetëm faza e parë, tregon ai, duke u zotuar se do të bëj çmos që ta zgjidh problemin e kahmotshëm të banorëve.

“Jo për fat të keq, bile është në gjendje alarmante. Ditët e para të mandatit edhe me shkrim kam informuar institucionet, në këtë rast edhe Ministrinë e Ambientit dhe Qendrën për menaxhim me kriza, se vërtet çështja e kanalizimit pas fazës së parë, ose në rrugët kryesore ku realisht është bërë rrjeti, mendoj se faze e dytë dhe e treta nuk janë realizuar dhe mendoj që këtu gjithsesi, do të duhet edhe pushtëti qendror ta merr me sriozitet këtë çështje”, tha Ibrahimi.

Po në vitin 2020 pas disa muajve në Haraçinë përsëri ishin mbledhur disa ministra bashkë me kryeministrin e atëhershëm teknik Oliver Spasovskin dhe ish kryetaren Milikije Halimi, për të vizituar punët ndërtimore të kanalizimit. Ata thanë që punët duhet të përfundojnë në mars të vitit 2021, e për projektin qeveria kishte ndarë 1.7 milionë euro.