MaqedoniTop Lajme

Përbërja e qeverisë publikohet javën e ardhshme

Shpërndaje

Mandatari për kryeministër Dimitar Kovaçevski pritet të shpalosë përbërjen e Qeverisë së re në fillim të javës së ardhshme. Sipas paralajmërimeve nga LSDM, Kovaçevski do të tregojë emrat e ministrave në Qeverinë e tij në mbledhjen e Komitetit Qendror të LSDM-së që është caktuar për të hënën, më 10 janar. Pasi ta marrë pëlqimin nga partia e tij, Kovaçevski do të propozojë edhe zyrtarisht në Kuvend Qeverinë e re dhe programin e ri qeveritar. Qeveria e re ka mbështetjen e 64 deputetëve pas marrëveshjes mes kryeministrit në dorëheqje Zoran Zaev me kryetarin e Alternativës. Alternativa do të përfaqësohet me 3 ministra, edhe atë Bekim Sali në cilësinë e Ministrit të Shëndetësisë, Admirim Haliti në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës dhe Xhemail Çupi si ministër pa resor për çështjen e diasporës. BDI do të mbajë ministrat e njëjtë, ndërsa Jeton Shaqiri transferohet nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës në Ministrinë e Bujqësisë ose Arsimit. Ndryshimet më të mëdha priten në LSDM. Disa prej ministrave të kësaj partie që bartnin funksione të rëndësishme në Qeverinë e Zaevit, nuk do të jenë pjesë e Qeverisë së Kovaçevskit. Ministrja e Mbrojtjes Radmilla Sheqerinska dhe ajo e Arsimit Milla Carovska konfirmuan se nuk do të jenë pjesë e Qeverisë së re, ndërsa në pikëpyetje është edhe posti i Oliver Spasovskit si Ministër i Brendshëm. Gjatë ditës së djeshme Kovaçevski zhvilloi takime edhe me partnerët e koalicionit të LSDM-së, por edhe me kryetarin e Alternativës Afrim Gashi. Në këto takime po precizohen detajet e fundit nga programi i përbashkët qeveritar që duhet t’i propozohet Kuvendit. /SHENJA/