Kurti: Asnjë pension nën 100 euro, vlerë të shtuar për FSK-në, e shtim të ekspertizës për reforma
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që një nga masat e Pakos së Ringjalljes që të mos ketë pensione nën 100 euro, të kthehet në qëndrim të përhershëm.
Në mbledhjen e sotme, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se më s’do të ketë pensione nga 90 euro për ato bazike, 75 euro për kategorinë e personave me aftësi të kufizuara, 90 euro për pensionet familjare e nga 90 euro për rastet invalidore të punës.
Tani shuma minimale që do të jepet në formë pensioni është 100 euro.
Postimi nga Kurti:
Në mbledhjen e parë të Qeverisë për këtë vit, për herë të parë miratuam një ligj që definon saktë pronën publike, siç e parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
Për të rritur mirëqenien sociale, në përmbushje të zotimit tonë, morëm vendim për rritjen e shumës së përfitimit të skemave pensionale. Asnjë pension nën 100 euro.
Me qëllim të ofrimit të shërbimeve shëndetësore gjithëpërfshirëse, morëm vendimin e radhës për pagesën e 580 specializantëve me vetëfinancim/vullnetar, në vlerë financiare prej 2.748.560 euro.
Për të përshpejtuar reformën në sektorin publik, themeluam Njësinë për Ekspertizë brenda Zyrës së Kryeministrit. Themeluam edhe Këshillin Kombëtar për Ndryshime Klimatike.
Emëruam Komisionin Përzgjedhës për rekomandimin e kandidatëve për Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit, si organ jashtëzakonisht i rëndësishëm për proceset zhvillimore të vendit.
Me qëllim të tejkalimit të sfidave për realizimin e mandatit të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës, në një proces të ndjeshëm dhe tejet të rëndësishëm për të ardhmen e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, familjeve të tyre, dhe për gjithë shoqërinë, emëruam kryetaren e re të këtij komisioni.
Siguruam vlerë të shtuar për Forcën e Sigurisë së Kosovës, me rregullimin ligjor për Agjencinë e Mbrojtjes për Inteligjencë dhe Siguri..
Lajmi i plotë: Mbledhja e 54-të e Qeverisë