Osmani: Me kolegen Gençovska biseduam për tejkalimin e çështjeve të hapura
Ministri për Punë të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani menjëherë pas takimit me homologen e tij bullgare Teodora Gençovska, ka deklaruar se është biseduar për hapat konkret në tejkalimin e çështjeve të hapura.
“Që nga njohja e parë ndërkombëtare e pavarësisë, e cila erdhi nga Republika e Bullgarisë, vendi ynë është bërë anëtar i NATO-s, është shembull i një shoqërie multietnike dhe multikulturore funksionale dhe në prag të fillimit formal të negociatave me BE-në. Me kolegen, Gençovska biseduam për hapat konkretë për tejkalimin e çështjeve të hapura, si dhe për seancën e përbashkët të dy Qeverive, më 25 janar”, ka shkruar Osmani në profilin e tij zyrtar në Facebook.
Ndërkohë nga MPJ njoftojnë gjithashtu se dy ministrat theksuan se mbeten të përkushtuar në procesin e afrimit të rajonit me Bashkimin Evropian, duke theksuar rëndësinë e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, si një investim në të ardhmen e përbashkët evropiane.
“Në takim u përshëndet ripërtëritja e dialogut mes dy Qeverive, si dhe rëndësia e vazhdimit të komunikimit intensiv në nivel të lartë me çka u shpreh besimi se me dinamikën e re në komunikim do të arrihet përmirësimi i nevojshëm i marrëdhënieve bilaterale”, theksohet në kumtesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme.