RajoniTop Lajme

Gjykata Kushtetuese shtyn seancën për shkarkimin e presidentit Ilir Meta

Shpërndaje

Gjykata Kushtetuese pas një seance maratonë të martën ka shtyrë marrjen e vendimit për shkarkimin ose jo të Ilir Metës si president i Republikës së Shqipërisë.

Seanca nisi rreth orës 10:00 duke vazhduar pa ndërprerë deri në orën 15:00. Pas dy orë pushim seanca rinisë dhe vazhdoi deri në orën 19:00. Më pas Gjykata vendosi që të shtyjë seancën për ditën e enjte në orën 10:00. Në seancën e së enjtes, pritet të dëgjohet pala tjetër, Presidenti.

Vetëm Meta nuk pritet të jetë i pranishëm në sallë, por do të jenë përfaqësues të tij ligjor.

Në qershor të vitit të kaluar, Kuvendi i Shqipërisë, votoi pro shkarkimit të Presidentit Meta. Mazhoranca socialiste e fajësoi atë për deklarata publike para dhe gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare 2021, të zhvilluara më 25 prill, të cilat kanë nxitur dhunë dhe kanë shkelur Kushtetutën.

Votimi u bazua në gjetjet e raportit të hartuar nga një komision hetimor me pjesëmarrjen edhe të opozitës, të ngritur enkas për të hetuar qëndrimin e Presidentit Meta para dhe gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare 2021.

Sipas raportit, presidenti Meta ka shkelur më shumë se 10 nene të Kushtetutës gjë që, sipas mazhorancës socialiste, ka sjellë mosgarantimin e unitetit kombëtar duke mbajtur anën e opozitës para zgjedhjeve të 25 prillit dhe nxitur destabilitet dhe dhunë.

Vetë Presidenti Meta e ka konsideruar të paligjshëm komisionin hetimor, nuk ka pranuar akuzat e mazhorancës socialiste, e ka quajtur antikushtetues vendimin e parlamentit për shkarkimin e tij dhe “të orkestruar nga PS për hakmarrje politike.”

Gjykata Kushtetuese e cila pritet të vendosë për fatin e Presidentit nuk është e plotë, pas mosfunksionimit të saj për rreth dy vjet për shkak të dorëheqjeve të kryetarit dhe një pjesë të mirë të anëtarëve apo nxjerrjes jashtë sistemit të drejtësisë nga vettingu, Gjykata Kushtetuese aktualisht ka 7 nga 9 anëtarë që parashikon Kushtetuta.

Pala mbrojtëse e Presidentit të Republikës ka theksuar ditën e sotme se Gjykata Kushtetuese nuk mund ta gjykojë dot çështjen për shkarkimin e Metës si president i vendit, pasi është emëruar nga Qeveria dhe mandati i kryetares së saj, Vitore Tusha ka përfunduar pesë vjet më parë dhe pritet zëvendësimi.

Kjo ka qenë edhe arsyeja sipas të cilës mbrojtja e Metës e ka konsideruar çështjen si të anshme, duke nënvizuar se prej shtatë anëtarësh që ka momentalisht Kushtetuesja, gjashtë prej tyre janë emërime të Qeverisë. Tre prej këtyre emërimeve kanë ardhur edhe me ndërhyrjen e Komisionit të Venecias.

Ky i fundit vetë, sipas mbrojtjes së Metës, ka theksuar disa herë se situata është e pafavorshme që të zgjidhen gjyqtarë për Kushtetuesen, pasi rrezikohet paanësia e tyre.

Një shkak tjetër i përmendur, është edhe shmangia e rregullores. Kjo, pasi sipas pretendimit, relatori i çështjes nuk është zgjedhur sipas shortit, por ka qenë që më parë i zgjedhur. Në këto kushte, ka konflikt interesi mbi përzgjedhjen, pasi ka ndodhur në favor të një pale.

Por, çfarë ndodhi?

Pas tërheqjes për mbi një orë të trupës gjykuese, vendimi ishte i qartë.

Pretendimet e presidentit për kryetaren e gjykatës, Vitore Tusha, se i ka tejkaluar mandati, u rrëzua duke argumentuar se nuk është një pretendim kushtetues.

U rrëzua po ashtu edhe pretendimi i Metës për hedhjen e shortit për emërimin e gjyqtarit relator të çështjes. E njëjta gjë, edhe për emërimin e gjyqtarëve të Kushtetueses, të cilët u cilësuan si “të anshëm” nga përfaqësuesi ligjor i Presidencës, Bledar Dervishi.

Nga ana tjetër, sipas përfaqësueses së Presidencës, Katerina Treska e gjithë çështja është antikushtetuese. Për të kërkesa për shkarkimin e Metës, është bërë nga legjislatura e kaluar e Kuvendit. Si e tillë, legjislatura e re, duhet të rifillojë edhe një herë nga fillimi kërkesën për shkarkimin e presidentit.

Mbi këtë pretendim, trupa gjykuese u tërhoq sërish, për të marrë një vendim. Sipas arsyetimit, kryetarja aktuale e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka autorizuar kalimin e çështjes në legjislaturën e radhës. Por, një vendim i prerë për pranimin ose jo të kërkesës paraprake nga Presidenca, nuk do të ketë tani.

Ai do të referohet në vendimin përfundimtar të Kushtetueses, kur të jepet edhe verdikti për çështjen Meta.

Marrëdhënia e vështirë e presidentit Meta me PS

Ilir Meta u zgjodh Presidenti i 7-të i Republikës në fundprillin e vitit 2017 me 87 vota të mazhorancës socialiste, pasi opozita kishte braktisur parlamentin. Por marrëdhënia e Ilir Metës, president me mazhorancën socialiste ka qenë e vështirë, e karakterizuar me kundërshti nga ana e tij të programit të PS, mosdekretim ligjesh dhe bllokim emërimesh të ministrave të propozuar nga kryeministri Rama, të cilin ai e akuzon për përqendrimin e të gjitha pushteteve në duart e tij.

Meta dekretoi, brenda afatit kushtetues, Edi Ramën si kryeministër të Shqipërisë, pas mandatit të tretë qeverisës që mori PS me fitoren e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021.

Çfarë parashikon Kushtetuta nëse ndodh shkarkimi i Presidentit?

Mandati i Presidentit të Republikës së Shqipërisë është 5-vjeçar dhe roli i tij konsiderohet kryesisht si honorifik.

Sistemi gjyqësor në Shqipëri nuk lejon asnjë hapësirë ankimimi për vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kushtetuta nuk ka një parashikim eksplicit se si veprohet në rastin e shkarkimit të Presidentit dhe kur nisin procedurat për zëvendësimin e tij.

I vetmi parashikim i saj është se në rast të vërtetimit të pamundësisë, vendi i Presidentit mbetet vakant dhe zgjedhja e Presidentit të ri fillon brenda 10 ditëve nga dita e vërtetimit të pamundësisë.

Ndërkohë, procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit.

Edhe pse Kushtetuta ia njeh të drejtën për t’u rizgjedhur për një mandat tjetër, vetë Meta ka deklaruar se nuk do ta kërkojë një gjë të tillë.

Ai u shkarkua nga Parlamenti me 9 qershor 2021 me 104 vota, 7 kundër dhe 3 abstenim./Top Channel