Sela pas takimit me Kurtin: Morëm lajmin se do të lehtësohen masat në kufij
Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela ka realizuar takim me liderin e Vetëvendosjes dhe kryeministër i Kosovës, Albin Kurti.
Siç bëri të ditur Sela pas takimit, atij i është kumtuar lajmi se do të lehtësohen masat në kufij, e që është hyrja në Kosovë të bëhet vetëm me tre doza të vaksinës anti-Kovid apo dy doza dhe test negativ PCR.
“Folëm për krizën me pandeminë dhe masat për të cilët ne morëm lajmin që do të lehtësohen. Komunikimi ndërshqiptar është shumë i rëndësishëm, ne vërtetë, fatkeqësisht, kemi kufij, mirëpo nga dy anët e kufirit kemi miq e vëllezër dhe kushërinj të cilët duhet të komunikojnë me njëri – tjetrin”, tha Sela.
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela edhe njëherë ka bërë të ditur qëndrimin e tij dhe të partisë lidhur me iniciativën “Ballkani i Hapur” për të cilin thotë se nuk do të kishte asnjë kuptim për aq kohë sa Serbia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës.
“Ne mendojmë se asnjë iniciativë në Ballkan nuk ka asnjë kuptim për sa kohë nuk vendoset edhe mozaiku i fundit i stabilitetit të Ballkanit që është njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë”, tha Sela.