Erdogan: Të gjithë i japin këshilla Ukrainës, kështu është e pamundur të arrish ndokund
Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan ka deklaruar se NATO duhet të kishte ndërmarrë hapa më të vendosur, ndërsa ndërhyrja ushtarake ruse në Ukrainë vazhdon, raporton Anadolu. Erdogan kritikoi qëndrimin perëndimor kundër sulmit rus ndaj fqinjit të saj, duke theksuar se ata ende i japin këshilla.
“Të gjithë i japin këshilla Ukrainës. Sigurisht, më këshilla është e pamundur të arrish ndokund”, tha presidenti turk.
Duke folur para gazetarëve pas namazit të Xhumasë në Stamboll, presidenti Erdogan tha: “Bashkimi Evropian (BE), si dhe i gjithë mentaliteti i tyre perëndimor, për fat të keq, nuk kanë marrë një qëndrim serioz dhe të vendosur për momentin (në Ukrainë)”.
Në lidhje me komentet e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, se ata në këtë luftë e lanë “të vetëm”, Erdogan tha se këshillat e Perëndimit dhe dështimi për të treguar një qëndrim të vendosur “nuk përputhet me miqësinë apo solidaritetin”.
Më herët, Zelensky në një video-mesazh të shpërndarë në mediat sociale se deklaroi se:”Këtë mëngjes ne po mbrojmë të vetëm shtetin tonë… Fuqitë më të mëdha të botës po shikojnë nga larg”.
Më vonë gjatë ditës, NATO do të mbajë një takim virtual të krerëve të shteteve dhe qeverive të Aleancës për të diskutuar pasojat e sulmit të Rusisë në Ukrainë, ku do të marrë pjesë edhe presidenti turk.
“Nuk duhet të kthehet në një grup të thjeshtë dënimi, NATO duhet të jetë më e vendosur”, tha Erdogan, duke iu referuar samitit të NATO-s.
Duke sfiduar kërcënimet e sanksioneve nga Perëndimi, Moska në fillim të kësaj jave njohu zyrtarisht rajonet e Ukrainës Donetsk dhe Luhansk si shtete të pavarura, pas çka dje nisi operacionet ushtarake në Ukrainë.
Tensionet filluan të përshkallëzohen në fund të vitit të kaluar kur Ukraina, SHBA-ja dhe aleatët e saj akuzuan Rusinë për grumbullimin e dhjetëra mijëra trupave në kufirin me Ukrainën.
Rusia në vazhdimësi mohonte akuzat se po përgatitej të pushtonte fqinjin e saj perëndimor.