KPM-ja urdhëron largimin e kanaleve me origjinë nga Rusia
Komisioni i Pavarur i Mediave ka vendosur për largimin e përkohshëm nga transmetimi të të gjitha kanaleve me origjinë nga Federata Ruse.
Në një njoftim për media, KPM-ja ka thënë se këtë vendim e ka marrë me qëllim të parandalimit të propagandës dhe mbrojtjes së sigurisë publike të Kosovës.
KPM-ja ka obliguar operatorët e shpërndarjes që përkohësisht t’i largojnë nga transmetimi të gjitha kanalet me origjinë nga Rusia.
“Qëllimi i këtij vendimi është parandalimi i propagandës dhe mbrojtjes së sigurisë publike në Republikën e Kosovës dhe jo pengimi dhe cenimi i lirisë së fjalës dhe lirisë së medias”, thuhet në njoftim.