OKB miraton rezolutë kundër pushtimit rus në Ukrainë
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara votoi të mërkurën një rezolutë për të dënuar Rusinë për nisjen e pushtimit të Ukrainës dhe kërkoi që Moska të ndalte luftimet dhe të tërheqë forcat e saj. Ky vendim ka për qëllim izolimin diplomatik të Rusisë në këtë organizatë ndërkombëtare.
Rezoluta, që u mbështet nga 141 anëtarë nga 193 sa janë gjithsej në OKB, i mbylli punimet e një seance urgjente që u thirr nga Këshilli i Sigurimit, teksa forcat ukrainase po luftojnë në portin e Hersonit dhe po përballen me sulme ajrore.
Në rezolutë dënohet “agresioni i Rusisë kundër Ukrainës”. Herën e fundit që Këshilli i Sigurimit i OKB-së kishte thirrur një seancë urgjente të Asamblesë së Përgjithshme ishte në vitin 1982, thuhet në ueb-faqen e OKB-së.
Tridhjetepesë anëtarë, përfshirë Kinën abstenuan, ndërkaq Rusia, Siria, Bjellorusia, Koreja e Veriut dhe Eritrea votuan kundër rezolutës.
Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme ligjërisht nuk janë të obligueshme, por kanë peshë të madhe politike.
Rusia ka shkatërruar infrastrukturë kritike, përfshirë edhe infrastrukturën e ujit të pijshëm dhe gazit për miliona njerëz dhe duket se po përgatitet që ta rrisë brutalitetin e fushatës së saj kundër Ukrainës, tha ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Linda Thomas-Greenfield.
“Ky është një moment i jashtëzakonshëm”, tha Thomas-Greenfield. “Tani, më shumë se në çdo pikë tjetër të historisë së fundit, Kombet e Bashkuara po sfidohen”, tha ajo para votimit të rezolutës, teksa bëri edhe një thirrje: “Votoni me po nëse besoni se shtetet anëtare – përfshirë edhe shtetin tuaj – kanë të drejtë për sovranitet dhe integritet territorial. Votoni me po nëse besoni se Rusia duhet të mbahet përgjegjëse për veprimet e saj”.
Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt dhe që atëherë është përballur me sanksione të ashpra të Perëndimit, që kanë goditur sistemin financiar.
Uashingtoni ka vendosur një sërë rundesh të sanksioneve, përfshirë edhe kundër presidentit rus, Vladimir Putin, dhe Bankës Qendrore ruse.
Moska e ka quajtur “operacion të posaçëm” sulmin ndaj Ukrainës.
Ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia, ka mohuar se Moska po shënjestrën civilët dhe paralajmëroi se miratimi i kësaj rezolute do ta përshkallëzojë edhe më tej situatën./REL