MaqedoniTop Lajme

Kolona veturash në pompa të benzinës! Autoritetet me apel për qetësi: “Disa tregtarë manipulojnë, kemi rezerva”

Shpërndaje

Në shumë pompa të benzinës në vendin tonë sonte ka kolona të gjata të automjeteve. Qytetarët në panik, kërkojnë të furnizohen me derivate të naftës, ndërkaq autoritetet kompetente bëjnë apel për qetësi dhe thonë se ka rezerva të mjaftueshme.

“Nuk ka krizë për furnizimin me naftë dhe derivate të naftës. Ka mjaftueshëm rezerva edhe tek tregtarët edhe në rezervat shtetërore të mallrave. Mos të bëhet panik tek qytetarët se do të kenë kufizime për naftën dhe derivate të naftës”, tha Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Nga Komisioni Rregullator për Energjetikë dhe Shërbime Ujore (KRRE) sigurojnë se ka mjaftueshëm rezerva të naftës ndërkaq theksojnë se disa tregtarë po manipulojnë qëllimisht për të destabilizuar tregun.

“Disa pompa të benzinës kanë lejuar që maksimalisht deri në 500 denarë të mundet një veturë të mbushë karburant. Të tjera nuk lejojnë që karburante të mbushin kamionët. Për situatën KRRE e njoftoi Inspektoratin Shtetëror të Tregut menjëherë t’i përforcojë kontrollet në teren te tregtarët dhe të pamundësohet sjellje e këtillë e cila është e palejueshme dhe e ndaluar. Artificialisht dëmtohet tregu dhe shkelen parimet themelore për siguri në furnizimin me energji”, thonë nga KRRE.