Kryeministri Kurti: Vetëm të bashkuar rreth të vërtetës e për të vërtetën do të arrijmë t’i bëjmë nder sakrificës së familjes Jashari
Në kuadër të agjendës shtetërore të aktiviteteve në 24-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në seancën solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
“Me praninë tonë sot këtu, ne nderojmë një ngjarje aq të veçantë saqë të pashembullt jo vetëm në historinë tonë, heroizmin e Prekazit dhe të familjes Jashari”, tha kryeministri Kurti në fillim të fjalës së tij.
Duke nderuar sakrificën e familjes Jashari për lirinë dhënë Kosovës, ai kujtoi aktivitetet dhe angazhimet kombëtare të familjes Jashari ndër vite, nga 1952 e deri në Epopenë e UÇK-së të marsit e vitit 1998, kur u bënë të përjetshëm.
Ai tha se është e pamundur që kohën kur kujtojmë një prej masakrave më të tmerrshme të luftës çlirimtare të mos përmend se në Hagë kemi bashkëluftëtarë të Adem dhe Hamëz Jasharit që po mbahen në burg. Prandaj, duhet të punojmë në mënyrë aktive për të kujtuar të kaluarën tonë për atë që ka qenë, në mënyrë që në asnjë moment të mos lëkundemi para tentimeve për ndryshimin me gënjeshtra të vërtetën e luftës që e kemi ndërtuar me gjak, theksoi kryeminsitri Kurti.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti ka bërë thirrje që të lihen anash dallimet e të bëhemi bashkë para vlerësimit të luftës së UÇK-së dhe sakrificës së bërë, pasi siç tha ai vetëm të bashkuar rreth të vërtetës e për të vërtetën do të arrijmë t’i bëjmë nder sakrificës së familjes Jashari.
Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në seancën solemne të Kuvendit në 24-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
I dashuri baca Rifat,
E nderuara presidente Vjosa,
I nderuari kryeparlamentar Glauk,
E nderuara familje Jashari,
Të nderuar shkëlqesi, ambasadorë,
I nderuari komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari,
I nderuari kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut z. Talat Xhaferi
I nderuari ish president i Republikës së Kosovës z. Fatmir Sejdiu
Të nderuar veteranë e invalidë të luftës
Të nderuar deputetë të Kuvendit, ministra të Qeverisë
Të dashur qytetarë,
Me praninë tonë sot këtu, ne nderojmë një ngjarje aq të veçantë saqë të pashembullt jo vetëm në historinë tonë, heroizmin e Prekazit dhe të familjes Jashari.
Heroizmin që na kujton se sa rrugë të gjatë dhe të vështirë kemi bërë për të ardhur këtu ku jemi.
Heroizmin e zëshëm e atë të heshtur të atyre që ranë për liri e dhanë gjithçka për të, dhe të atyre që mbijetuan për të treguar përjetimet.
Edhe para luftës së viteve 1998-1999 nuk kishim paqe sepse ishim të pushtuar, ishim nën okupim. Para luftës kishim dëbimet e shqiptarëve për Turqi e aksione të Rankoviqit për t’ua mbledhur armët shqiptarëve. Kishim demonstratat e 68-ës e të 81-shit. Kishim suprimimin e autonomisë dhe përjashtimin e shqiptarëve nga puna. Kishim helmimet e nxënësve.
Ne i kemi pasur rrugët me gjak edhe para luftës
Ka nisur shumë para nesh. Me të parët tanë shumë moti.
Ka vazhduar me neve.
Për secilin prej nesh ka nisur në një moment të caktuar. Që jo domosdoshmërisht është i njëjtë me tjetrin.
Por një pikë e përbashkët për të gjithë ne këtu sot është eskalimi i çdo situate tjetër që na bën ta kujtojmë gjithmonë me pietet datën e 5 Marsit të fillimit të Epopesë të UÇK-së. Është Masakra e Prekazit, e cila u bë kthesë përcaktuese në trajektoren e zhvillimit të luftës sonë çlirimtare të vitit 1998-1999 por njëkohësisht edhe në zgjimin e ndërgjegjes ndërkombëtare e të vetëdijes diplomatike botërore.
As për familjen Jashari, viti 1998 nuk ishte fillimi. Ata ishin përgatitur prej shumë gjeneratave.
Prej kur ishte arrestuar Baca Shaban në vitin 1952 nga pushteti i atëhershëm, te demonstratat e vitit 1968 dhe aksionet e Bacës Shaban bashkë me Hamzë Jasharin për vendosjen e flamujve kombëtar në Skenderaj. Pastaj të demonstratat e vitit 1981 në të cilat mori pjesë edhe kryekomandanti Adem Jashari, deri te stërvitjet e para ushtarake të vitit 1991 të organizuara në Republikën e Shqipërisë, pastaj te sulmi i parë në Prekaz në dhjetor të vitit 1991, sulmi i dytë në Prekaz në janar të vitit 1998 e deri te Epopeja e UÇK-së e marsit të vitit 1998.
Nëpër këtë trajektore ata ishin përcaktuar për atdheun e tyre, për çlirimin e vendit, për lirinë e popullit, me çdo çmim.
E në Epopenë e UÇK-së ata u bënë të përjetshëm.
Sot bëhen 24 vjet nga ditët kur Familja Jashari ra heroikisht në Prekaz pas dy net e tre ditë luftimeve të ashpra me agresorin serb. Gjithsejtë humbën jetën 83 vetë si pasojë e tre sulmeve, përfshirë këtu të paktën 24 gra e fëmijë sipas organizatës Human Rights Watch.
Një familje e tërë gati u shua si rezultat i këtyre luftimeve makabre dhe të pabarabarta. Tanke, mitralozë e ushtarë që sulmonin nga larg familjarë të armatosur me shpresën për liri dhe me armët që i kishin krijuar vetë.
E vetmja e mbijetuar e familjes Jashari nga kjo masakër, që ka arritur të tregojë ngjarjen si e ka parë me sytë e saj – është vajza e kryekomandantit Adem Jasharit – Besarta. Besarta ka kaluar tërë natën dhe ditën e vetme, me familjen e vdekur rreth saj, derisa predhat serbe binin një nga një, duke u përplasur në atë që kishte mbetur nga shtëpia e saj.
Si e mbijetuara e vetme, Besarta na kujton tmerrin e dhimbjen, por edhe kurajon e krenarinë që bart ajo, familja e saj dhe të gjithë ne si shqiptarë.
Prandaj sot duhet të flasim për të kaluarën. Ta nderojmë atë, sidomos në këto kohë jo të lehta nëpër të cilat po kalojmë së bashku.
Është e pamundur të mos e përmend që në kohën kur ne kujtojmë një prej masakrave më të tmerrshme të luftës sonë çlirimtare, dhe prej heroizmave më të pashembullt, në Hagë kemi bashkëluftëtarë të Adem e Hamëz Jasharit që mbahen në burg.
Pikërisht për këtë luftë. Pikërisht për këtë narrativë që ne e kemi ndërtuar me gjak, ndërkaq Serbia dëshiron ta ri-ndërtojë me gënjeshtra.
Duhet që të punojmë në mënyrë aktive për të kujtuar të kaluarën tonë për atë që ka qenë, në mënyrë që në asnjë moment të mos lëkundemi para provokimeve që po na bëhen si popull. Para tentimeve për ndryshimin e të vërtetës së luftës.
Përtej kësaj, sot jemi në linjë me ndodhitë në botë dhe dëshmitarë të luftës në Ukrainë. Luftë kjo që secilit prej nesh na e kujton terrorin dhe gjenocidin e përjetuar gjatë luftës së Kosovës.
Terrorin që pashmangshëm na përballë me realitetin e hidhur që edhe sot, ka okupues që nuk e kanë problem të vrasin civilë të pafajshëm e të mohojnë krimet që i kanë bërë. Realitet ky që shumë prej nesh kemi shpresuar që e kemi lënë mbrapa me luftën e fundit në Kosovë.
Prandaj është e rëndësishme që të kujtojmë duke nderuar të kaluarën tonë dhe duke nderuar sakrificën e jashtëzakonshme të bërë nga populli ynë.
Të lëmë anash dallimet e të bëhemi bashkë para vlerësimit të luftës së UÇK-së dhe sakrificës së bërë. Lufta jonë ishte çlirimtare, lufta e okupatorit gjenocidale.
Sepse vetëm të bashkuar rreth të vërtetës e për të vërtetën do të arrijmë t’i bëjmë nder sakrificës së familjes Jashari.
Për shumë gjatë kemi qëndruar në mes të së drejtës dhe sakrificës për liri dhe pavarësi dhe synimeve të tjerëve për të na mohuar një gjë të tillë.
E nesërmja duhet të na gjejë edhe më të fortë, më të zhvilluar, më të bashkuar dhe me më shumë mirëqenie për të gjithë.
Së bashku do të ecim përpara, sepse pavarësisht sa sfiduese të jetë rruga drejt së ardhmes, ne e dimë që një gjë nuk mund të ndodhë kurrë, e ajo është që të lejojmë që e kaluara të përsëritet.
Lavdi kryekomandantit Adem Jashari dhe familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit tonë.