“Mos pritni mrekulli me një takim”, deklarata e Turqisë pas bisedimeve paqësore
Pas bisedimeve paqësore në Turqi mes ministrave të jashtëm të Ukrainës dhe të Rusisë, të cilët dështuan të sillnin ndonjë ndryshim, ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu, ka thënë se bisedimet ishin megjithatë “një fillim i rëndësishëm”.
Sipas kanalit të lajmeve Haberturk, Cavusoglu tha se “mrekullitë nuk duhet të priten me një takim”.
Bisedimet e së enjtes ishin kontakti i parë i nivelit të lartë mes dy shteteve që kur Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt.
“Pavarësisht të gjitha vështirësive, mund të them se një takim i civilizuar u bë”, tha ai. “Ne theksuam se korridoret humanitare duhet të mbahen të hapura pa pasur ndonjë pengesë”.
Turqia është munduar ta mbajë një pozicion neutral në konflikt pasi ka marrëdhënie strategjike me Ukrainën dhe Rusinë.