Bota

Kryeministri kroat: Droni ushtarak që ra mbi Zagreb u prodhua në Rusi, nuk dihet nëse i përket Ukrainës apo Rusisë

Shpërndaje

Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq foli për rrëzimin e një droni në Zagreb mbrëmjen e djeshme.

Plenkoviq tha se ajo është prodhim i Rusisë, por potencoi se nuk është i sigurt nëse ishte në posedim të Rusisë apo Ukrainës.

“Është i prodhuar nga Rusia. Sipas informatave të para, është i prodhimit rus. Nuk dihet nëse ishte në pronësi të ushtrisë ruse apo ukrainase,” tha Plenkoviq, shkruan idex.hr, transmeton Reporteri.net.

“Dihet se ajo erdhi në Kroaci nga drejtimi i Hungarisë, dhe në Hungari nga Rumania. Ne e dimë se ajo fluturoi disa minuta mbi Kroaci dhe u rrëzua në Zagreb. Është mirë që askush nuk u lëndua dhe ra në një pjesë që nuk është as shtëpi e as ndërtesë”, shtoi ai.

Plenkoviq shtoi se për këtë çështje kanë kontaktuar edhe me autoritetet ukrainase.

“Shërbimet kompetente kryejnë hetime. Ne kontaktuam edhe palën ukrainase për të parë nëse ata kanë informacion se si avioni arriti në Zagreb”, shtoi ai.