Pendarovski fal Abdylfeta Alimin dhe katër të dënuar të tjerë
Presidenti Stevo Pendarovski ka marrë vendim që të fal persona të dënuar, përcjell TV21. Në listë gjendet emri i Abdylfeta Alimit, anëtarë i sigurimit të Kuvendit i cili është dënuar për ngjarjet e 27 prillit, e për të cilin kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela dëshmonte se i ka shpëtuar jetën. Lista e të falurve është nënshkruar dje nga presidenti ndërsa sot është publikuar në Gazetën Zyrtare.
Personi Aleksandar Petrovski është liruar plotësisht nga vuajtja e mëtutjeshëm e dënimit me burg. Nga vuajtja e dënimit me burg janë liruar pjesërisht edhe Abdylfeta Alimi (8 muaj), Nexmedin Matoshi (4 muaj), Dimitar Mishkov (3 muaj) dhe Xhafer Nebija (5 muaj).
Ndryshe, Alimi është i dënuar me 6 vjet për ngjarjet e 27 prillit të vitit 2017 në Kuvend. Ai gjatë gjykimit thoshte se ka vepruar sipas urdhrave të hierarkisë. Gjatë gjithë kohës së procesit gjyqësorë, kreu i ASh-së, Zijadin Sela e kishte përkrahur Alimin duke thënë se i kishte shpëtuar jetën natën e 27 prillit, kur u rrah dhe i la pa ndjenja nga turma që sulmoi Kuvendin.