Rajoni

Kurti: Pagën minimale do ta bëjmë 264 euro

Shpërndaje

Kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar se pagën minimale nga 170 euro sa është tani, tash e një dekadë duan ta bëjnë 264 euro, por për këtë duhet të pajtohen në Këshillin Ekonomiko-Social.

Kurti këto komente i bëri gjatë vizitës në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Xhemail Mustafa”, në Prishtinë, të cilën e vizitoi me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Sindromës Down.

Kryeministri tha se duan ta ngrisin pagën minimale por nevojitet pajtim në Këshillin Ekonomiko-Social.

“Sa i përket pagës minimale, ne kemi thënë që atë do ta rrisim nga 130 përkatësisht 170 euro sa është tani, tash e një dekadë ta bëjmë 250 euro, por në fakt ne do ta bëjmë 264 euro. Por, për këtë duhet të merremi vesh në Këshillin Ekonomiko-Social”, u shpreh Kurti.

Kosova nuk ka të dhëna të sakta se sa është numri i të punësuarve që marrin pagë minimale, por besohet se ajo u takon më së shumti të punësuarve në sektorin privat.

Sektori privat në Kosovë llogaritet si punëdhënësi më i madh: me mbi 220 mijë punëtorë.

Sipas Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, në pagën minimale përfshihen punëtorët në sektorin e pastrimit, shërbyesit shtëpiakë, punëtorët e sigurimeve private e të tjerë.

Paga mesatare bruto në Kosovë është rreth 460 euro.

Në sektorin publik, paga mesatare bruto është rreth 620 euro, ndërsa në sektorin privat rreth 380 euro.

Vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar qysh në vitin 2011. /Telegrafi/