Goditet mafia shqiptare në Spanjë, policia kap 1 ton kokainë (Video)

Shpërndaje

Policia spanjolle ka sekuestruar rreth 1 ton kokainë dhe një shumë prej 1.550.000 euro, gjatë një operacion kundër mafias shqiptare në Spanjë.

Në pranga kanë rënë dy liderët e grupit kriminal me origjinë shqiptare dhe dy shtetas spanjollë, identiteti i të cilëve nuk është bërë ende i ditur.

Mendohet se shuma e parave e konfiskuar do të përdorej për të paguar transportin e drogës, e cila vinte nga Kolumbia.

Sipas policisë, kreu i grupit kriminal, me shtetësi shqiptare, emri i të cilit nuk është bërë i ditur për mediat, merrte drogë nga Kolumbia dhe më pas e dërgonte në Spanjë, duke përdorur fluturime të ndryshme private me çarter të marre me qira.

Grupi kriminal e ngarkonte lëndën narkotike në valixhe të zeza dhe më pas e dërgonte në Madrid, ku dhe u shpërndahej kriminelëve spanjollë, raporton Vizionplus.

Autoritetet kanë sekuestruar aparate celulare, një stemë false policie dhe armë. Ndërkohë, kokaina ishte e vendosur ne pako që mbanin sipër shënimin ‘CR 7’.

Trafikantet ishin zbuluar nëntorin e vitit të kaluar e që prej asaj kohe ishin ne ndjekje.