Rajoni

Arrestime pas denoncimit të profesorit të shkencave islame për haraç

Shpërndaje

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person, i cili dyshohet se i ka dërguar mesazhe kërcënuese profesorit të shkencave islame, Mustafa Bajrami.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë Rajonale të Gjilanit.

Hashani po ashtu ka konfirmuar se Policia është duke e hetuar rastin e raportuar të kërcënimit ndaj Mustafa Bajramit.

“Po mund të konfirmojë një rast të kërcënimit të cilin është duke e hetuar Policia. Në orët e mbrëmjes, rreth orës 19:00, është arrestuar një person i cili dyshohet t’i ketë dërguar mesazhe kërcënuese”, tha zëdhënësi i Policisë për KALLXO.com.

Sipas Policisë, i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”.

Sot gjatë ditës, Mustafa Bajrami njoftoi përmes profilit të tij në “Facebook” se dikush i ka kërkuar haraç 35 mijë euro, ose do t’i shkonte koka.

Ky është postimi i tij i plotë:

“LAJMËRIM PUBLIK!

HARAÇI ME GJAK VAZHDON NË KOSOVË!

(Viktima e fundit jam unë dhe familja ime e dhashtë Zoti të jemi të fundit)

Ose 35000 euro, ose koka. Ky ishte ultimatumi i deridjeshëm. Pas ndërhyrjes së një fytyre shumë e njohur publike në Kosovë (jo fytyrë politike), çmimi ka ra, por, sipas ndërmjetësuesit, gjithqysh diçka duhet paguar.

I them botnisht zotëriut dhe zotërinjëve të involvuar. Nuk ka forcë në këtë botë që mund të më detyrojë të bëjë diçka jashta vullnetit tim. Siç i kam quar selam mbrëmë edhe sot nga këtu i them; Pushka top iu bëftë se unë nuk frikohem. Kurrë dhe në asnjë mënyrë asnjë cent s’ka për ta marrë.

Dinjitetin tonë familjarë kemi për ta ruajtur, për aq sa dimi dhe për aq sa mundemi. Presim ndihmën e shtetit tonë..!”