Gjykata lë në burg autorin e masakrës së Selenicës, 15 avokatë refuzuan ta mbronin

Shpërndaje

Nën masa të forta sigurie ka mbërritur në gjykatën e Vlorës Ritvan Zykaj, autori i masakarës me 8 viktima, anëtarë të fisit të tij, mes tyre dy të mitur, në fshatin Resulaj të Selenicës, mes tyre dy të mitur.

Arrest me burg ka qenë masa e kërkuar nga prokurori i çështjes Saimir Smaka dhe e vendosur nga gjykatësja Esmerilda Habilaj.

Mbi 15 avokatë refuzuan ta merrnin në mbrojtje autorin e masakrës. Me ndëmjetësim të kreut të gjykatës u caktua avokat Renato Mehmetaj.

Në pamjet e para nga salla e gjykatës, Ritvan Zykaj dukej i qetë. Madje ai ka heshtur edhe kur është pyetur nga gazetarët e pranishëm se përse e kreu krimin.

Ritvan Zykaj akuzohet për vrasje në rrethana cilësuese të dy ose më shumë personave, si edhe për armëmbajtje pa leje.

Hetimet e fundit kanë zbuluar se Ritvan Zykaj e kishte paralajmëruar krimin e rëndë në fshatin Resulaj të Vlorës.

Nga dëshmitë e dhëna në prokurori, rezulton se 24-vjeçari shpesh ju kishte thënë të afërmve “do ju bëj hatanë, ndaj mos më bini në qafë”, por askush nuk e kishte marrë seriozisht.

Gjatë mbërritjes së 24 vjeçarit në gjykatë pjesëtarë të familjes Hoxhallari, një tjetër krim i rëndë i ndodhur në Vlorë, ku nusja vrau bashkëshortin e vjehrrën, kanë kërkuar dënim me vdekje për kriminelët, teksa mbajnë në duar foto të Zykajt dhe Hysnie Hoxhallarit e Kasëm Pirjasi, këta të fundit akuzohen për vrasjen e Salkie dhe Olsi Hoxhallari, nënë e bir.