Kurti: Thaçi më shumë po e jep Mitrovicën se që po e merr Luginën

Shpërndaje

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, lidhur me deklaratat e Presidentit Thaçi për korrigjim të kufijve ka thënë se janë përbrenda logjikës së asaj që ka ndodhur me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi pas ratifikimit të kësaj marrëveshjeje në Kuvend.

Ai tha se që kur është nënshkruar marrëveshja për demarkacion nuk është ndërmarrë asnjë hap për korrigjimin e kësaj marrëveshjeje.

“Deklaratat e Presidentit për korrigjim të kufirit janë përbrenda logjikës së demarkacionit. Më 16 shkurt të këtij viti, Thaçi e ka nënshkruar një marrëveshje me homologun e tij malazez për korrigjim të kufirit, pasnesër bëhen gjashtë muaj dhe asnjë hap nuk është ndërmarrë. Problemi nuk rregullohet me logjikën e demarkacionit për korrigjim të kufijve”, tha Kurti.

Kreu i LVV tha se presidenti Thaçi më shumë po e jep veriun e Mitrovicës, ndërkohë që po tenton ta marrë Luginën e Preshevës.

“Thaçi më shumë po e jep veriun se qe po e merr Luginën. Kjo është jashtëzakonisht e dëmshme. Në bazë të informacionit që kemi, është rritur prania e xhandarmërisë serbe atje. Kam përshtypjen se po veprohet njëjte si me lapidarin e UÇPMB-së para 5 vjetëve”, tha Kurti.

Ai tha se Kosova duhet shqiptaret në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc së paku t’i ndihmojë ekonomikisht.

“Shqiptarët atje janë të diskriminuar dhe të shtypur politikisht dhe të shfrytëzuar ekonomikisht. Atyre duhet t’u ndihmojmë, mirëpo në qeverisje, dashuria matet me buxhet. Asnjë qeveri e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë nuk ua dha asnjë cent shqiptareve Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Prandaj nuk mund të besojmë të këtë politikanë të cilët shtiren se kinse tash iu ka dalë gjumi”, tha kryetari i LVV.