Milot Rashica për gazetën Bild: Dua të jem shembull për fëmijët e Kosovës
Milot Rashica po përgatitet intensivisht për të qenë sa më i gatshëm për të ndihmuar ekipin e Werder Bremen në sezonin e ri në Bundesligës.
Djaloshi nga Kosova në afatin kalimtar të janarit, nga Vitesse për 7.5 milionë euro iu bashkua gjigantit gjerman.
22 vjeçari gjatë një interviste për gazetën më të madhe gjermane ‘Bild’, ka shpalosur synimet e tij për sezonin e ri, ku dëshiron të jap kontribut në të gjitha format për skuadrën.
Rashica që ka dalë nga futbolli i Kosovës, ku ishte shpallë edhe kampion me Llamkos Kosovën, në intervistën për ‘Bild’ ka thënë se dëshiron të jetë një shembull i mirë për gjithë fëmijët në Kosovë.
“Ishte një hap i madh për mua kur shkova nga Kosova në Holandë tre vite më parë. Nuk ka shumë lojtar nga vendi im që luajnë në pesë ligat e forta të botës. Mund të jem krenar për avancimin tim. Unë dua të jem një shembull për fëmijët e Kosovës”, u përgjigj Rashica në pyetjen se sa i mungon shtëpia e tij.