Prifti që po shkakton luftë mes SHBA-së dhe Turqisë

Shpërndaje

Andrew Brunson është një prift protestant që ka shkaktuar përçarje mes Uashingtonit dhe Ankarasë. Më 1993 ai mbërriti nga SHBA në Turqi, ku punoi tërë kohën. Por tani është bërë shkas i grindjeve mes këtyre dy vendeve.

Nga Deutsche Welle

Shoqata protestante në Izmir të Turqisë është e vogël. Ajo ka vetëm disa dhjetra besimtarë, të cilët rregullisht takohen në një hapsirë të vogël në një godinë. Në mesin e tyre rri ulur me kitarë në dorë Andrew Brunson, një amerikan, prift protestant. Luan me kitarë dhe këndon. Të paktën kështu tregojnë fotografitë e botuara në internet. Kështu ka qenë edhe në kishën e Izmirit, para se Brunson të arrestohej nga autoirtetet turke dhe ky arrestim të përdorej si shkas për shkallëzimin e konfliktit mes SHBA-së dhe Turqisë.

Rruga deri në Turqi

50-vjeçari Brunson me siguri që nuk ka mundur ta parashikojë një zhvillim të tillë të ngjarjeve në vitin 1993, kur për herë të parë erdhi në Turqi së bashku me bashkëshorten e tij Norine. Ai erdhi nga vendi i vogël Black Mountain në Karolinën Veriore, ku feja protestante është pjesë e pandashme e jetës së përditshme dhe ku tradicionalisht votohet për republikanët. Çifti Brunson i përket grupit të besimtarëve evangjelistë, një kishë protestante me botëkuptime liberale.

Ashtu si të gjithë besimtarët e tjerë edhe familja Brunson beson tek misionet. Ndaj edhe kanë pranuar që të ndërmarrin një mision fetar në Turqi, në një vend kur 99 % e popullatës i përket besimit islam. Misionet fetare lejohen në Turqi, por nga viti 2003 nuk shihen me simpati. Më 2007 në Turqi u vra një misionar gjerman dhe dy persona të konvertuar. Por Brunson i ka mbetur besnik misionit të tij, më 2010 ai themeloi madje edhe kishën e ringjalljes në Izmir.

Në vend të vazhdimit të viztës – arrestimi

Gjashtë vite më vonë, Brunson deshi të vazhdonte vizën e tij në Turqi. Por në fund të vitit 2016 ai u arrestua në valën e arrestimeve pas puçit të dështuar kundër Erdoganit. Edhe bashkëshortja e Brunsonit u mbajt disa ditë nën masa arresti. Ndërsa Brunson akuzohet, pas 63 ditësh në arrest, për anëtarësi në grupet terroriste, spiunim, bashkëveprim dhe planifikim të puçit si dhe mbështetje të partisë së ndaluar kurde, PKK.

SHBA dhe bashkësia ndërkombëtare janë të mendimit se këto akuza janë të pabaza. Brunson ka pranuar se kohë pas kohe ka udhëtuar edhe në zonat e banuara me kurdë, por atje është kujdesur për refugjatët. Nuk ka asnjë dëshmi që ai ka qenë pjesë e përpjekjeve për rrëzimin e regjimit të Erdoganit. Brunson pohon se është i pafajshëm dhe se kurrë nuk ka lejuar që politika të futet në kishën e tij.

Qeveria amerikane reagoi me indinjatë pas arrestimit të Brunsonit. Por presidenti Erdogan ka kërkuar shkëmbimin e priftit me kundërshtarin e tij më të madh, Fetullah Güllen, i cili konsideohet organizatori kryesor i protestave kundër Erdoganit. Gülleni mbetet i strehuar në SHBA. “Na jepni Güllenin dhe do ta merrni Brunsonin”, tha Erdogan.

Refuzimi amerikan

Presidenti amerikan Donald Trump e ka refuzuar këtë kërkesë. Por kërcënimet dhe lufta tregtare mes SHBA dhe Turqisë ndërkohë janë përshkallëzuar. Trumpi e konsideron si shumë të rëndësishëm grupin e votuesve të këtij besimi. Zëvendëskryetari Mike Pence edhe vet prezantohet si evangjelist i madh. Ndërkohë gjendja shëndetsore e Brunsonit është përkeqësuar. Vajza e tij thotë, se Brunson ka humbur ndërkohë 25 kilogram dhe nuk është mirë me shëndet.