Maqedoni

Vazhdon gjykimi për “Titanik”-un

Shpërndaje

Në Gjykatën Penale në Shkup sot dhe nesër vazhdon gjykimi për lëndën “Titanik” të Prokurorisë Speciale Publike, ndërsa javën e fundit të gushtit edhe gjykimet për “T.N.T” dhe “Fortesa dhe Target”.

Seanca e fundit gjyqësore për lëndën “Titanik” duhej të mbahej më 3 korrik, por ishte anuluar për shkak të mungesës së të akuzuarës Gordana Jankullovska, e cila, siç njoftoi avokatja e saj Sanja Aleksiq, gjendet në spital pas lindjes.

Gjykatësi Osman Shabani atëherë tha se e akuzuara Gordana Jankullovska ka të drejtë 45 ditë të mos thirret në seanca gjyqësore, për shkak të së cilës e anuloi gjykimin për lëndën “Titanik” për më 16 gusht.

Në lëndën “Titanik” të akuzuar janë ish kryeministri Nikolla Gruevski dhe ish funksionarët Martin Protugjer, Kiril Bozhinovski, Mile Janakieski, Gordana Jankullovska, Biljana Brishkoska Boshkovski, si dhe Ilija Dimovski, Munir Pepiq, Edmond Temelko, Leko Ristovski, Kiril Todorovski, Katerina Velovska, Stanko Korunovski, Kosta Markovski, Dragçe Dragçeski, Marjan Nakevski, Goce Janevski, Xhezmi Ahmet, Robert Davitkov, Dalibor Aleshkoviq dhe Lenka Rashajkovska.

Ata dyshohen nga PSP për shoqërim kriminel, shkelje të së drejtës së votimit, shkelje të lirisë së përcaktimit të votuesve, ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit, shkatërrim i materialit zgjedhor dhe keqpërdorim i mjeteve për financim të fushatës zgjedhore në vitin 2012.

Në Gjykatën Penale javën e fundit të muajit gusht duhet të vazhdojë rasti “TNT” i Prokurorisë Speciale Publike për rrënimin e kompleksit banesor-afarist “Kosmos”, i biznesmenit Fijat Canovski. Mes të akuzuarve për rrënimin e “Kosmos”-it janë edhe ish kryeministri Nikolla Gruevski, ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski dhe ish kryetari i komunës së Gazi Babës, Toni Trajkovski.

Sipas aktakuzës së PSP-së, të akuzuarit në vitin 2011 kanë bërë vepër penale nga urrejtja politike me rrënimin e kompleksit “Kosmos” të Fijat Canoskit.

Në rastin “Fortesa-Target” të akuzuar janë të arratisurit Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski si dhe ish shefi i DSK-së Sasho Mijalkov, shefi i tij i kabinetit, Toni Jakimovski, ish ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska dhe gjashtë persona tjerë. Kjo është lënda e parë e PSP-së për të cilën Gjykata Penale shqiptoi gjykim në nëntor të vitit të kaluar, ku njëri nga të akuzuarit në bazë të pranimit të fajit ishte dënuar me dënim me burg të kushtëzuar në kohëzgjatje prej gjashtë muajve, nëse në afat prej dy viteve nuk bën vepër tjetër penale

Gjatë pushimit të gjykatës nga 15 korriku deri më 15 gusht në Gjykatën Penale nuk kishte seanca të caktuara për rastet e PSP-së.