Këto janë notat e Kombëtares, Xhaka renditet i dyti
Shqipëria ka marrë një fitore mjaftë të rëndësishme mbrëmjen e djeshme kundër Izraelit, 1-0.
Lojtarët e Panuccit kanë bërë një paraqitje dinjitoze që në fund u shpërblye me fitore.
Tashmë i pret një tjetër përballje përsëri në Ligën e Kombeve, kundër Skocisë ku premtohet një lojë e bukur dhe me surpriza.
Por më parë mësoni notat e lojtarëve të Kombëtares për ndeshjen kundër Izraelit..
STRAKOSHA 8 – Shpëton portën katër herë dhe u jep zemër gjithë shokëve. I shpejtë, i saktë dhe i zgjuar, praktikisht i pakalueshëm. Lider në prapavijë dhe më i miri i ndeshjes.
HYSAJ 5,5 – Nuk luan keq, por as nuk shkëlqen. Jemi mësuar ta shohim sesi fluturon te “Napoli” dhe ndoshta kërkojmë shumë, por diçka më mirë mund ta bëjë. Për shembull, mund ta kishte bërë gol rastin e artë që pati për të mbyllur ndeshjen…
VESELI 5,5 – Lufton fort dhe pistë me izraelitët që i përvidhen nga krahët thuajse gjithë ndeshjen. I zgjuar mjaftueshëm, por në ndonjë rast e humb përqendrimin dhe për pak Xhabur na ndëshkoi.
GJIMSHITI 5 – Mund të kishte qenë një ndeshje e madhe për të, nëse nuk do t’i kishte falur topin në afërsi të zonës Zahavit. Gabime të tilla janë fatale dhe të hedhin në erë punën e gjithë skuadrës.
BINAKU 6,5 – Çfarë zbulimi djaloshi! Le ta pranojmë, kishte cilësi, fizik, siguri dhe vetëbesim të jashtëzakonshëm. Ndihmoi sulmin në pjesën e parë, por ishte agresiv edhe në mbrojtje. Bast i fituar i Panuçit.
BASHA 6,5 – Meritonte gjysmë note më shumë nëse nuk do kishte marrë të verdhin në mesfushë aq shpejt. Më pas është një “zotëri” i vërtetë në ndërtimin e aksioneve dhe në mbështetje të mbrojtjes. Ofron finesë, teknikë dhe qetësi të admirueshme për ekipin.
XHAKA 7 – U duk si Graniti tek “silura” që solli golin e fitores. Por ka vrapuar pa fund, është një digë e vërtetë në mesfushë. Ishte sërish ai i kohëve të arta.
MEMUSHAJ 6 – Sakrifikon pa masë në fushë, por nuk e bën dot si duhet lidhjen ndërmjet mesfushës dhe sulmit. Shumë i vlefshëm në mbulimin e hapësirave, por ofron pak për Gurin.
GAVAZAJ 5,5 – Start mbresëlënës, por nis të zbresë dhe më pas duket gjithnjë e më pak në sulm. Pak krosime të çmuara. (Nga min 72′ Prenga – pa notë).
HYKA 6,5 – Mbrëmje fantastike për kapitenin. Nuk dhuroi spektakël si zakonisht, por ishte pasimi i tij te goli i Xhakës dhe i ofroi Balajt një krosim “alla Pirlo” për një gjuajte drithëruese me kokë.
GURI 5,5 – Ka shumë dëshirë dhe bën presing të çmendur tek izraelitët, por nuk pati fat ta dërgojë topin në rrjetë. Jo edhe aq i drejtë zëvendësimi që në pjesën e parë. (Nga min 46 Balaj 5,5 – Lufton si luan në majën e sulmit, por mori vetëm një krosim të saktë. Disi larg formës, por mbetet një “ujk i vjetër”).
PANUÇI 6,5 – Fiton një ndeshje shumë delikate. Pati edhe fat, por ka meritën që skuadra bën kthesën jo vetëm në rezultat, por edhe në lojë. Binaku është gjetje dhe merita është vetëm e tij. Nëse vazhdon të fitojë, le të shfryjë sa të dojë pas ndeshjeve, ia kemi falur…