Air Albania nis fluturimet nga aeroporti i ri i Stambollit

Shpërndaje

Kompania e parë ajrore kombëtare e Shqipërisë, sipërmarrje e përbashkët me Turkish Airlines, sot nisi fluturimet nga Aeroporti i Stambollit, qendra e re ajrore ndërkombëtare e qytetit, raporton Anadolu Agency (AA).

“Air Albania do të operojë dy fluturime çdo ditë midis Stambollit dhe Tiranës”, tha Sinan Dilek, drejtori i përgjithshëm i linjës ajrore, gjatë një ceremonie në Aeroportin e Stambollit.

Dilek tha se Air Albania planifikon të iniciojë fluturime në destinacione të reja në Itali dhe Britani të Madhe këtë verë.

“Bëhet fjalë për një kompani ajrore e cila në të ardhmen do të organizojë fluturime jo vetëm midis Turqisë dhe Shqipërisë, por edhe midis Shqipërisë dhe Evropës. Me avionët që do t’i shtojmë flotës tonë në verën e vitit 2019, do të fluturojmë në destinacionet në Itali dhe Britani”, tha Dilek.

“Është krenari për ne të fillojmë fluturimet nga Aeroporti i Stambollit, i cili është aeroporti më i madh në botë”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, Panajot Panajoti, një nga pasagjerët e parë të Air Albania, tha se ndihet krenar që është udhëtari i parë i linjës së vendit të tij.

Faza e parë e Aeroportit të Stambollit me një kapacitet vjetor prej 90 milionë pasagjerësh u hap zyrtarisht në tetor të vitit të kaluar.

Me një kapacitet të plotë vjetor prej 200 milionë pasagjerësh, me përfundimin e të gjitha katër fazave me gjashtë pista deri në vitin 2028, Aeroporti i Stambollit pritet të bëhet një qendër globale e aviacionit me fluturime në mbi 350 destinacione anembanë botës.