Thaçi e Haradinaj nesër në Berlin, pa qëndrim të dakorduar

Shpërndaje

Samiti është thirrur nga dy liderët evropian, kancelarja Angela Merkel e presidenti francez Emmanuel Macron. Krerët e shtetit kanë dallime në çështjet siç është dialogu me Serbinë dhe taksa 100 për qind e vendosur për produkteve që importohen nga Serbia.

Njohësit e zhvillimeve thonë se mosdakordimi institucional mund të dëmtojë pozicionin e Kosovës në raport me pjesëmarrësit e këtij takimi dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

Kryeministri Ramush Haradinaj, ditë më parë ka thënë se shpreson që nuk do të ketë shpërputhje me presidentin Thaçi.

“Është një takim multilateral, pra nuk është vetëm bilateral ta zëmë ku ne ishim ulë para një pale, por është multilateral, pra edhe pjesa e parë edhe pjesa e dytë. Mendoj që qëndrimet që i ka mbajtur Qeveria e vendit në vazhdimësi janë qëndrime të Kosovës, nuk janë vetëm të kryetarit të Qeverisë, janë të Kosovës. Kam pasur shpresë që nuk do të kemi shpërputhje me presidentin, pra shpresoj që nuk do të kemi shpërputhje, por nuk ka ndonjë ndryshim në ato qëndrime që Qeveria e vendit i ka mbajtur në vazhdimësi. Kuptohet ne do ta kemi kohën për të biseduar bashkë me presidentin para ngjarjeve dhe me siguri që do të harmonizojmë, por unë nuk kam qëndrime tjera, ne i kemi ato të vazhdueshme që i kemi paraqitur dhe vlejnë”, ka thënë Haradinaj.