U pagua 22 vite pa punuar, Zvicra dëbon shqiptaren
Kumrije A., është protagonistja në rrëfimin e radhës për qytetarët me shtetësi të huaj të cilët, për shkak të varësisë së gjatë nga ndihmat sociale dënohen me lëshim të Zvicrës. Sipas vendimit më të fundit gjyqësor, ajo duhet të kthehet në Kosovë më së largu këtë të shtunë! Ndërkaq, avokati i saj ka vendosur që çështjen ta çojë deri në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, në Strassburg.
Kumrija, sot 51 vjeçe, ka ardhur në Zvicër në vitin 1990. Këtu është martuar me një italian, nga i cili pastaj është ndarë dhe ka rritur dy djem nga kjo martesë, shkruan 20minuten.ch. Por, jo më larg se të shtunën (pasnesër) ajo duhet të braktisë Zvicrën. Këtu dhe në gjithë Zonën e Schengenit, ajo nuk do të ketë të drejtë hyrjeje edhe tri vite tjera.
Shkaku për këtë dënim qëndron në varësinë e saj të plotë nga ndihmat sociale, që nga viti 1997 e këndej. Në fund të marsit 2015 shuma e përgjithshme e mbështetjes sociale që ajo kishte marrë përgjatë viteve kishte arritur në 403.000 franga.
“Aktualisht nuk mund as të pritet që ajo, në një të ardhme të afërt të mund të pavarësohet dhe që të sigurojë jetesën me punën e saj”, thuhet në vendimin e Gjykatës Federale. Te kjo gjykatë Kumrije A., ishte ankuar kundër vendimit për dëbim, të marrë nga instancat më të ulëta.
“Ushtruesja e ankesës – përkundër faktit se ishte e mbështetur nga enti social – gjatë gjithë kohës së qëndrimit të saj në Zvicër nuk ka bërë përpjekje për një vend pune në tregun primar të punës”.
Ndërsa i biri 26 vjeçar i Kumrijes, Antonio duke kundërshtuar vendimin për dëbim thotë: “Nëna ime ka punuar për vite të tëra në projekte të mbrojtura, të ndërmjetësuara nga autoritetet sociale”. Në ekonominë normale ajo nuk do të kishte shanse të punësohej.
“Për shkak të problemeve të rënda psikike dhe trupore ajo ka nevojë urgjente për trajtim”. Ndërsa një trajtim i tillë në Kosovë nuk është i mundur. Raportet mjekësore kanë treguar se nëna e tij është në rrezik akut për të bërë vetëvrasje në rast se do ta detyrojnë të kthehet në Kosovë.
Ish avokati i saj, Peter Bolzli vendimin për dëbim e konsideron shokant. “Autoritetet e kanë ditur prej tashmë prej 30 vitesh se ajo është e varur nga ndihmat sociale”, thotë Bolzli. Dhe përkundër faktit se ajo jeton prej afër 30 vitesh në Zvicër, ku i ka rritur fëmijët dhe ku është qendra e saj jetësore, duan ta dëbojnë. “Zyra për Migracion është duke zhvilluar një fushatë të vërtetë kundër personave të varur nga ndihmat sociale”, thotë Bolzli.
Ndërsa për ekspertin e migracionit, Alberto Achermann, vendimi i Gjykatës Fedderale nuk është i jashtëzakonshëm por përputhet me tendencën në praktikën gjyqësore, transmeton albinfo.ch. “Ai korrespondon me praktiken sipas të cilës kur dikush merr ndihma sociale në shifra kaq të larta, do të rishqyrtohet statusi i tij i qëndrimit”, thotë Achermann. Pikë me rëndësi në këtë kontekst është prognoza.
“Në rastin kur për dikë është shumë e besueshme se edhe në të ardhmen do të jetë i varur nga ndihmat sociale, atëherë kjo prognozë rezulton negative”. Sikur të mundnin djemtë e saj, të dy me pasaporta zvicerane, të kujdeseshin për nënën dhe të financonin jetesën e saj, gjykata do të merrte ndoshta ndonjë vendim tjetër, thotë Achermann.
Që nga viti 2008, autoritetet e ndihmës sociale detyrohen që, pa ua kërkuar, të njoftojnë autoritetet kantonale të migracionit për të huajt që marrin ndihma sociale. “Që atëherë është shtuar numri i të dënuarve me dëbim për shkak të varësisë nga ndihmat sociale dhe kjo do të çojë edhe në të ardhmen në vendime të tilla”, thotë Achermann.
Mirëpo avokati i tashëm i Kumrije A. , Tim Walker synon që si hap të parë, të atakojë vendimin për ndalim të hyrjes në Zonën e Shengenit te klientes së tij. “Një ndërhyrje e tillë në jetën familjare nuk mund të tolerohet. Këtu po bëhet copëtimi i një familjeje”, thotë Walker.
Sipas avokatit, gjykatat zvicerane kanë sqaruar në mënyrë fare të pamjaftueshme rrethanat e Kumrije A. Për këtë arsye ai do të bëjë një ankesë edhe në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strassburg. “Vendimi është jashtëzakonisht joproporcional”, thotë Ëalker. “Unë shpresoj se Strassbugu do t`i rekomandojë Zvicrës që ta rishqyrtojë rastin”.