Brenda tri javësh Haradinaj uron tri herë liberalizimin e vizave

Shpërndaje

Kryeminsitri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka uruar sërish sot qytetarët e Kosovës për liberalizimin e vizave, ndonëse ata ende vazhdojnë të jenë të izoluar, raporton zeri.info.

Në një konferencë të mbajtur për medie pas mbledhjes së qeverisë, Haradinaj tha se liberalizimi nuk do të ndodh në qershor, porse pohoi se ky proces ka gjasa të finalizohet gjatë vjeshtës së këtij viti.

“Urime edhe sot edhe çdo ditë. Tani kemi hyrë në fazën implementuese. Mendojmë që me qëndrimin e qeverisë gjermane është një moment kthese, jemi në proces të zbatimit, hyrja në agjendë është me rëndësi, duhet ta koordinojmë hyrjen në agjendë, tash kryesimin e KE-së e ka Rumania, prej 1 korrikut e merr Finlanda, nuk mendoj që në qershor do ta kemi vendimin, është herët me kohë, por jemi në proces, mendoj më shumë që në vjeshtë do ta kemi lajmin e mirë”, deklaroi Haradinaj.

Kreu i ekzekutivit ka uruar qytetarët edhe në fillim të kësaj jave për heqje vizash. Gjithashtu, të njëjtën gjë i pari i qeverisë e kishte bërë edhe para tri javësh, menjëherë pas Samitit të Berlinit./Zeri