Drejtuesit e Teatrit Shqiptar në Shkup me premtim të ri për përfundimin e punimeve
Pas një sërë shkeljesh të premtimit për rikonstruksionin e teatrit shqiptar, drejtuesit e këtij institucioni me premtim të ri, se brenda dy javësh do të përfundojnë punimet ndërtimore. Vetëm gjatë vitit të kaluar, tre herë janë shkelur afatet për përfundimin e punimeve. Por, edhe kësaj radhe drejtuesit e teatrit kanë gjetur arsyetime. Pengesë sipas tyre tani kanë qenë zgjedhjet presidenciale. Drejtori, Adem Karaga thotë se në periudhë parazgjedhore nuk kanë mundur të bëjnë punësime e as të bëjnë shlyerjen e detyrimeve tjera, pa saktësuar nene të kodit zgjedhor. Megjithatë, shiriti i kuq nuk do të pritet brenda 14 ditëve-hapja solemne do të mbetet për në vjeshtë, në fillim të shtatorit, me një shfaqje teatrale premierë.
Sigurisht që këto vonesa u krijuan për hir të zgjedhjeve e kështu me radhë. Por, unë mendoj që ajo ditë, dita-ditës po afrohet. Tani janë edhe ca punë, të cilat ne akoma nuk i kemi zgjidhur. Ne nuk mund të precizojmë kohën, mund të dalin ndonjë telashe, e cila do të duhet të riparohet. Por, sidoqoftë u në besoj që brenda dy-tre javëve ne do të fillojmë avash-avash të kthehemi në shtëpi – tha Adem Karaga, Drejtor i Teatrit Kombëtar Shqiptar.
Premtimi i parë ishte se objekti do të jetë funksional deri më 31 maj të vitit 2018. Ky afat nuk u respektua. Afati tjetër ishte dhënë për 31 Tetor. Por në vend të përfundimit të punimeve, në atë datë u dha premtim i ri se punët do të përfundojnë më 31 Dhjetor. Pra viti 2018 u mbyll pa mbajtjen e premtimeve. Pesë muaj nga premtimi i fundit, punëtorët ende janë duke punuar brenda dhe jashtë objektit.
Rikonstruksioni pesëvjeçar i teatrit shqiptare ishte nën Llupën e revizionit të pavarur të Ministrisë së Kulturës. Revizioni ka konstatuar se persona të pakualifikuar kanë udhëhequr procedurat e tenderimit duke rritur koston e projektit për plot një milion euro, edhe pse sipas tyre nuk ka pasur ndryshim nga projekti fillestar i vitit 2012.
Sipas analizës së revizionit të pavarur, për riparimin e ndërtesës janë nënshkruar marrëveshje në vlerë prej 10 milionë e 600 mijë euro. Raportin e posaçëm Ministria ia dorëzoi Prokurorisë Speciale, e cila ka të hapur proces hetimor për projektin “Shkupi 2014”, në kuadër të të cilit ishte edhe riparimi i Teatrit Shqiptar. Karaga thotë se specialja tani ka gjithë dokumentacionin e rikonstruksionit të teatrit.
Po, ata kanë bërë shkresë, ne i kemi dorëzuar gati të gjithë dokumentacionin që ata e kanë kërkuar. Dokumente janë të gjitha atje, ata kanë të drejtën absolute t’i analizojnë dhe për çdo shkelje eventuale që ata mund të konsiderojnë që mund të ketë, ne jemi të hapur dhe jemi këtu. Por, mua personalisht nuk më kanë ftuar akoma – deklaroi Adem Karaga, Drejtor i Teatrit Kombëtar Shqiptar.
Punimet për rikonstruksionin e teatrit kanë nisur në vitin 2014 kur atëherë Nikolla Gruevski, Elizabeta Kançeska- Milevska dhe Musa Xhaferi patën premtuar se objekti do të jetë gati në shtator të vitit 2015. Por, së shpejti nisën edhe problemet. Atë vit falimentoi kompania italiane “Lamone Moreda” e cila e fitoi tenderin prej 8 milionë euro për riparimin e objektit. Më pas, rikonstruimin e vazhdoi kompania italiane “Shencia”. Hetimet e televizionit Alsat në Regjistrin qendror italian zbuluan se kompanitë janë të lidhura mes vete dhe se drejtorët e kompanisë së falimentuar, ishin themelues të kompanisë së re “Shencia”, të cilët nuk mund ti përcaktohet pronësia e vërtetë./alsat/