Kurti: Para një muaji ngritëm kallëzim penal kundër Thaçit e Veselit – asnjë veprim nga Prokuroria

Shpërndaje

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka bërë të ditur se sot është bërë një muaj nga dita e paraqitjes së kallëzimit penal kundër Presidentit Hashim Thaçi dhe Kryeparlamentarit, Kadri Veseli.

Ai ka thënë se deri më tani nuk është thirrur askush dhe se nuk ka marrë asnjë informatë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, transmeton Klan Kosova.

“Ky mosveprim e mosinformim i paraqitësve të kallëzimit penal është presion i drejtpërdrejtë mbi qytetarët për të heshtur para krimit institucional, sidomos ndaj atyre që ndodhen në majat e institucioneve shtetërore. Por, kështu nuk mendon edhe prokuroria, thua se nuk është aty për të luftuar krimin, por për ta mbrojtur atë nga qytetarët”.

“Veprimin e hapjes së hetimeve për deklaratat në seancën gjyqësore të datës 28 dhjetor 2018 sipas detyrës zyrtare si detyrim ligjor duhej ta bënte prokurori i rastit. Heshtje. E nëse nuk është tamam heshtje, është veçse fërkim duarsh”.

“Mund të ndodhë që interesimi ynë për veprimet e ndërmarra nga Prokuroria për rastin të kualifikohet si ndërhyrje në drejtësi. Porse ky është refreni i njohur i papërgjegjësisë institucionale që flet kur s’duhet, meqë nuk vepron kur duhet”.

Më poshtë mund ta lexoni shkrimin e plotë të Kurtit në Facebook.