Lazim Destani, njeriu në shërbim të lumturisë njerëzore

Shpërndaje

(Shkrim për njeriun para të cilit përkulen njerëz e njerëz, falë punës dhe ndihmës së tij të pakursyeshme).

Lazim Destani është nga ata të rrallët që fama i vjen pas si hija në ditë me diell. Ai është i njohur në çdo pore të shoqërisë shqiptare, por edhe të asaj ndërkombëtare, falë punës dhe sukseseve të tij. Andaj, edhe shumë politikanë ia kanë zili, pasi emri i Lazim Destanit përmendet përherë për vepra të mira, për suksese të mëdha në punë. Këto janë arsyet pse bëmë këtë shkrim, e që në vazhdim do të mësoni edhe shumëçka për të, shkruan “Kosovarja”.

Njerëzit që kanë pasur privilegjin ta njohin nga afër, për të thonë se ky njeri i rrallë ka ditur të gëzohet edhe për sukseset e konkurrentëve të tij, madje edhe i ka ndihmuar ata. Një karakteristikë, do të thoshim e pazakontë në kontekstin e rrethanave dhe mentalitetit tonë.

Emri i Lazim Destanit u bë i njohur që në moshën e tij të re, kur si shumë të rinj shqiptarë, edhe ai mori rrugën e mërgimit drejt Gjermanisë. Ai nuk shkoi që të fitojë pak para dhe të kthehet për të ndërtuar një shtëpi në vendlindje, por shkoi për të përfituar më shumë dije nga shoqëria gjermane dhe vlerat kryesore të asaj shoqërie t’i sjellë edhe në vendlindje, apo t’i ndajë me bashkatdhetarët e tij.

Pasi kaloi nëpër disa vende pune në Gjermani, emri i Lazim Destanit filloi të veçohet me iniciativat e tij për të ruajtur identitetin kombëtar, duke u bërë iniciator që në komunat ku kishte numër të konsiderueshëm mërgimtarësh shqiptarë, për fëmijët e tyre, komunat gjermane të siguronin edhe mësimin e gjuhës shqipe.

Por, ajo që e spikati emrin e tij ishte sfida për të themeluar kompaninë e udhëtimeve “Sharr Turist”, që, në fakt, u bë edhe emblemë e tij.

Në kohën e ish-shtetit ku jetonin shqiptarët jashtë kufijve administrativ, çdo iniciativë për të sfiduar rregullat e vëna nga ai shtet konsiderohej edhe kërcënim, ku reperkusionet ishin të tmerrshme. Por, Lazim Destani besoi në idetë e tij largpamëse dhe “Sharr Turisti” u bë ura lidhëse e gjithë bashkatdhetarëve me vendlindjen.

Vendlindja

Vendlindja për Lazim Destanin nuk ishte vetëm trualli ku kishte lindur apo ku i kishte prindërit, por ishin të gjitha trojet ku flitej gjuha e nënës së tij.

Me rastin e dekorimit nga ana e Presidentit të Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit”, Lazim Destani e shpjegoi thelbin e vendlindjes, duke i cituar fjalët që ia kishte thënë i ati:

“Biri im, paç rrugë të mbarë! Dhe, po të lë një amanet: Ngado që të shkosh, gjithmonë kujto vendin tënd, sepse këtu do të kthehesh përsëri!”.

“Këto fjalë m’u ngulën thellë në mendje e në zemër dhe çdo gjë që bëra dhe bëj në jetë, e lidhi me vendin dhe popullin tim. Urdhri “Nderi i Kombit” për mua është dhe do të mbetët dekorata më e lartë, sepse e marr nga Shqipëria, nga Presidenti i Republikës, nga populli, të cilit me krenari të madhe i takoj”, shprehet ai.

Kjo e shpjegon edhe lidhjen shpirtërore që ka Lazim Destani me vendlindjen, pra me trojet shqiptare, duke e dëshmuar në mënyrë praktike thënien e Kenedit: “Mos pyesni çfarë mund të bëj vendi juaj për ju, por ju çfarë mund të bëni për vendin tuaj”.

Dhe, Lazim Destani bëri dhe po bën shumë për kombin, andaj edhe ishte përherë aty ku duhej ndihmuar. Zyra e kompanisë së tij ishte në njëfarë mënyre “ambasada” e munguar e Kosovës në Gjermani. Aty ishte vendtakimi i të gjithë veprimtarëve të çështjes kombëtare, si edhe të gjithë intelektualëve, profesorëve dhe liderëve partiakë.

Këtë më së miri e shpjegon edhe poeti ynë, Ali Podrimja, në tekstin e tij “Zotëria nga Ilirida”, ku rrëfen për kontributin e Lazim Destanit:

“Poshtë-lart i kam rënë Evropës, por pak njerëz kam takuar si Lazim Destanin. Takimet me të nuk mund t’i harroj. Me mikun e ndjerë e poetin Azem Shkrelin, shpesh ndaleshim në Duseldorf, se familja e Shkrelit jetonte në Viten, dhjetë kilometra larg nga aty.

Bisedat i zhvillonim thuaja nga të gjitha rrafshet. Ishin kohë të rënda për shqiptarët e këndejmurit tragjik. Shpërnguljet nuk kishin të ndalur dhe fshatrat thuaja se kishin mbetur shkret. Çështje ishte si t’u dilet ndihmë qindra familjeve që u mungonte nga kokrra e kripës deri te korja e bukës.

Mirëpo, diaspora ishte ajo fuqia që e mbajti gjallë Kosovën, pra edhe ata burra që nuk kursyen asgjë për vendlindjen dhe popullin e ndrydhur. Ka momente shumë prekëse në kontributin që jepnin, nuk ishte vetëm ai tre përqindëshi. Kërkohej të mbahen gjallë institucionet e ndryshme, e posaçërisht shkolla shqipe, kujtesa.

Fashizmi serb frikësohej nga shkronjat shqipe dhe bënte çmos ato t’i varrosë bashkë me fëmijë e kuadrin arsimor, që kishin pranuar të zbrisnin edhe në bodrume, ku mungonte ngrohja dhe drita e mjaftueshme. Ato ishin përpjekje sizifiane të një armate edukatorësh, që rrugicave, tinëz syve të policisë, nxitonin të mbanin mësimin, një moral të pashoq kishin treguar dhe nxënësit: nuk bën të harrohet gjuha e nënës dhe historia.

Ato ishin ditë trimërie, të një heroizmi të pashoq. Portreti i Lazim Destanit mund të jetë dhe portret i atdhetarëve të tjerë.

Sidoqoftë, ky Zotëri nga Ilirida, ishte diçka specifik, me krenarinë dhe bujarinë e tij na kishte hapur zemrën, posaçërisht Shkrelit dhe mua. Nga zyra e tij kishim alarmuar Evropën për atë ç’ndodhte në Kosovë. Shkruanim tekste tek përdornim makina e kompjuterë, iu kishim drejtuar dhe ca burrave shtetërorë. Pra, Lazimi na ishte bërë krah i fortë.

Takimet e ndryshme me bashkatdhetarët deri në orët e vona, ku i inkurajonim se do të bëhet mirë dhe nuk jemi kopila të Evropës, disi përpiqeshim t’ua mbanin moralin lart dhe se një ditë do të kthehemi në vendlindjen tonë. Azemi ishte më elokuent, i cili në fjalën e tij kishte edhe pakëz humor, se shpirtit i duhet edhe një buzëqeshje.

Lazimi na kishte kuptuar se një popull i lodhur duhet këndellur. Në ato biseda e bredhje kishte dhe momente pikëlluese. Kurrë nuk do ta harroj takimin me shokët e të vegjëlve të mi. Zotëria nga Ilirida e kishte hetuar shqetësimin tim, kisha veneruar se edhe në syrin e tij kishte rrjedhë loti, na e kishte kthyer shpinën se nuk dëshironte ta shihnim si qan burri i Sharrit, me të cilin rastësisht ishim njohur në Tetovë dhe kisha dëgjuar mjaft për kontributin e tij.

Njerëzit e tillë, që vëhen në shërbim të lumturisë njerëzore, vështirë të jenë të qetë, e kisha vërejtur këtë edhe te Lazimi që nuk kishte pasur mundësi t’i dalë ndihmë akcilës shkollë apo fshati.

Pyeste ku gjendet filan lokaliteti, i cili gati ishte shpërngulur në Evropë, por ata pak shpirtra që kishin mbetur dëshironte t’u ndihmojë qoftë për ndonjë festë kombëtare apo fetare”.

“Sharr Turisti” u bë inkubatori ku lindën dhe u zhvilluan shumë ide të reja të biznesit, duke u shndërruar në një shkollë të mirëfilltë, ku, përveç dimensionit teoriko-ideor, të punësuarit kaliteshin me përvojë praktike në punë.

Këtë mundësi e kishin edhe anëtarët e familjes së Lazim Destanit, në veçanti djemtë e tij. Zyrat e “Sharr Turistit” ishin vendi ku ata shkonin çdo ditë pas mësimit në shkollat gjermane, duke zhvilluar pemën gjigante të biznesit familjar, që tanimë e kishte mbjellë me rrënjët thellë babai i tyre.

Së këndejmi, jo e rastësishme është edhe përgjigjja e tij, kur revista “Kosovarja” e pyet: Ç’domethënie ka dhe çka flet përvoja me “Sharr Turistin”?

Ai, me modestinë e shquar prej një burri të vërtetë shqiptar nga Malësia e Sharrit, thotë:

“Sharr Turisti ishte dhe mbeti pjesë e madhe e shpirtit tim. Ishte formacioni që më ndihmoi të kaloj shumë përvoja jetësore, të mira e të këqija, por që, pa dyshim, më bëri më të fortë. Nuk do ta kisha fituar atë fortësi prej guri pa Sharr Turistin”.

Familja

Cili ishte idoli juaj në familje dhe çka keni mësuar nga ai?

Përgjigjja e Lazim Destanit, kur ia bëra këtë pyetje, ishte që të linte të kuptosh se ai është një person që nuk e nënvlerëson asnjë rast në jetën e tij. Është dikush që çmon lart dhe mirëpret çdo shans jetësor.

Kështu, ai ka reflektuar gjatë gjithë jetës së tij, duke marrë shembuj të mirë, duke mësuar e duke u përmirësuar çdo ditë. Vetë thotë se autokritika, apo të shikohesh në pasqyrë dhe të sigurohesh që sheh njeriun prej të cilit nuk të vjen turp, është shumë e rëndësishme. Të jesh i bindur se po bën më të mirën e mundur dhe jo vetëm për vete, por, së pari, për ata që të rrethojnë, e më pas për vete.

Babai dhe gjyshi i tij kanë qenë tregtarë të shquar dhe ai ka mësuar shumë prej tyre. Madje, parimet më të rëndësishme mbi të cilat ai vetë e ka ndërtuar suksesin e tij, përpiqet t’ua transmetojë edhe nipërve e mbesave, pasi këtë tashmë e kanë trashëguar tre bijtë e tij, që shquhen me tiparet e fisit, si edhe i ati.

Thotë ai: “Ne të gjithë duam të jemi të mirë për rrethin e gjerë të njerëzve, t’i ndihmojmë ata, të jemi të mirë me ta, që më pas të na përmendin për të mirë dhe të fitojmë respekt e autoritet karshi tyre. Dhe, kjo arrihet duke nisur nga rrethi më i ngushtë, nga njerëzit që i ke më pranë. Ndaj, nëse doni të jeni ndër më të mirët, sigurohuni që ta filloni nga familja juaj”.

Pasuria

Çdo biznesmeni, për ta vlerësuar se sa i suksesshëm është, i vlerësohet pasuria e tij. Por, me Lazim Destanin edhe kjo çështje është më ndryshe. Në shumë intervista dhe debate, sa herë që i bëhet pyetja për pasurinë e tij, ai familjen e paraqet si pasurinë më të madhe të tij, duke thënë:

“Për mua familja është gjithçka, është pasuria më e madhe e çdo njeriu dhe ajo që i jep kuptim jetës dhe aktiviteteve tona të përditshme. Familja qëndron në themelin e çdo suksesi që kam arritur në jetë. Është ajo, pastaj është shoqëria.

Pa familje të fortë nuk ka as shoqëri të shëndetshme. Nuk thoshin kot pleqtë tanë se më i vyeshmi dhe më i miri në shoqëri është ai që e ka portën e respektuar. Familja është ajo që e bën njeriun ta çmojë pasurinë shpirtërore, jo atë materiale”.

Dhe, duke kultivuar vlera të këtilla sublime, familja e Lazim Destanit sot zotëron biznese anë e kënd botës, duke qenë pjesë e tregut global.

Pa dyshim, pasuria materiale krijohet me mund e sakrifica të mëdha, prandaj edhe vështirë ndahet me të tjerët. Por, ai njihet si njeri që ka ndihmuar shumë, që ka shpëtuar, madje, jetë njerëzish.

Ka ndihmuar shumë edhe në vënien e themeleve të Universitetit të Tetovës. Prandaj, në pyetjen tonë prej kureshtari nëse e lodhin njerëzit që, vazhdimisht, e kërkojnë ndihmën e tij, pasi flitet se as nga oborri i shtëpisë nuk del dot pa takuar ndonjë nevojtar që ka ardhur për një kërkesë, ai thotë:

“Jo, nuk më lodhin njerëzit që kanë kërkesa dhe pritshmëri nga unë. Është fare e kuptueshme, ata kanë nevojë, prandaj vijnë e më kërkojnë dhe unë bëj aq sa mundem për t’i mbështetur e për t’u dalë në ndihmë.

Por, mërzitem kur shikoj se sa shumë nevoja e halle ka populli ynë, madje duke filluar edhe nga ato më esencialet, ndërkohë që në vendet evropiane as që diskuton kush për to, sepse janë të garantuara për çdo person, siç është sigurimi i të ardhurave për jetesë, apo trajtimi mjekësor e të ngjashme”.

Filozofia e jetës

Cilat fjalë i thotë para gjumit dhe me cilat zgjohet në mëngjes, Lazim Destani?

Çdo ditë bie e zgjohet duke u lutur për shëndetin dhe mirëqenien e familjes, rrethit të tij, bashkëpunëtorëve, për mirëqenien e gjithë njerëzimit. Kjo është dëshira që për çdo ditë e orienton drejt arritjeve dhe sukseseve.

Filozofia e vërtetë jetësore nga e cila udhëhiqet ai shihet shumë mirë nga përgjigjja që i jep pyetjes: Ç’është jeta për Ju?

“Jeta është një shans i papërsëritshëm. Ndodh vetëm një herë! Imagjinoni sa e rëndësishme është të bëni zgjedhjen e drejtë se si do ta çoni kohën! Është mundësia e vetme për të lënë gjurmë. Është mundësi që duhet shijuar së bashku me të tjerët, pa ta asnjë sukses nuk ka shije.

Imagjinoni sikur të jemi të vetëm në një ishull, ku gjithçka është gur i çmuar dhe luksi nuk ka fund. Por… jemi vetëm! Nuk shijohet jeta i vetëm, as suksesi nuk ka kuptim atëherë.

E, kjo është bukuria e jetës, t’i bësh ballë me qetësi dhe bujari çdo sfide, të ruash qetësinë dhe të kuptosh se çdo gjë që ndodh ka një arsye, por mbase arsyeja mbetët për t’u mësuar më vonë.

Jeta është shansi më i bukur që na jep Zoti. E jona është se si do ta shfrytëzojmë!”.

Dhe, këtë herë kaq, por nuk përthekohet jeta, puna dhe sukseset e Lazim Destanit me një shkrim, as me dy a tre shkrime… Sepse, gjithmonë ka çka të thuhet dhe shkruhet për të… Gani Dili /Kosovarja/