Besimi: Nuk do të ketë rritje të madhe të çmimit të energjisë elektrike

Shpërndaje

Ofertën që EMV duhet ta japë ndaj furnizuesit universal do të jetë në nivel që nuk do të shkaktojë ndonjë rritje të madhe të çmimit për energji elektrike, deklaroi sot ministri i Financave Fatmir Besimi.

Në përgjigje të pyetjes së gazetarëve, Besimi nuk dëshironte të kalkulojë me shifra, duke potencuar se atë do ta tregojë Komisioni Rregullator për Energjetikë.

“Në lidhje me çmimin e energjisë elektrike ia kemi dhënë EMV-së gati pesë miliard për sigurim të resurseve plotësuese për prodhimtari të energjisë elektrike ose furnizim me energjinë elektrike për tregun e rregulluar. Siç ishte paralajmëruar, do të ketë ofertë nga EMV ndaj furnizuesit universal të energjisë elektrike, e cila me siguri siaps atyre vlerësimeve, do të jetë në nivel që nuk do të shkaktojë ndonjë rritje të madhe të çmimit të energjisë elektrike”, tha Besimi pas promovimit të fushatës së re “Vendos ngjyrë në ekonominë gri”.

Në lidhje me inflacionin, tha se nga gjysma e dytë e vitit të ardhshëm nuk pritet të vazhdojë trendi i rritjes së çmimeve në tregun global dhe vendor.

“I ndjekim analizat në nivel botëror ku pritet inflacioni të stabilizohet në gjysmën e dytë të vitit dhe projeksionet tona janë inflacioni për vitin e ardhshëm të arrijë 2,4 për qind ndërsa nga viti 2023 të stabilizohet për dy për qind, Vitin 2021 e përfundojmë me inflacion prej tre për qind”, tha Besimi.

Ngrirja e çmimeve të prodhimeve ushqimore bazë, sipas Besimit, duhet të shikohet si masë kohore, ndërsa në lidhje me propozimit të ngrihet marzha, tha se në varësi të nevojave që do të paraqiten, ashtu do të disenjohen masat.