Rajoni

Rama dhe Veliaj shpërndajnë kartat e studentit (Foto)

Shpërndaje

Angazhimi i marrë nëpërmjet Paktit për Universitetin për pajisjen e studentëve me Kartën e Studentit u bë sot realitet. Qeveria dhe Bashkia e Tiranës kanë mbajtur premtimin e dhënë për studentët dhe prej ditës së sotme të gjithë studentët e Universitetit të Tiranës kanë mundësi të pajisen me kartën studentore, falë së cilës do të përfitojnë një numër të konsidëerueshëm shërbime falas ose me kosto të reduktuar në institucionet shtetërore dhe ato private. Kryeministri Edi Rama, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule inspektuan procesin e punës për aplikimin dhe printimin e kartave të para të studentit.

Kryeministri Edi Rama vlerësoi punën e bërë nga Bashkia e Tiranës për prodhimin e kartës, theksoi faktin se qeveria arriti të plotësojë një kërkesë të drejtë të studentëve, pasi më parë univeristetet nuk e kishin bërë punën e tyre. “Kjo nuk ndodhi dhe në vend që të vazhdonim që të përsërisnim që bëjeni, bëjeni, bëjeni e morëm për sipër falë edhe shtytjes që na dhatë ju që me të drejtë në fakt thatë ne nuk ka rëndësi se kush do ta bëjë ne duam kartën, kështu që sot është fakt që karta kanë filluar të prodhohet dhe ndërkohë në shembullin e parë që u krijua fal edhe punës së bërë nga Bashkia e Tiranës do ta zhvillojmë kartën edhe në bashkitë e tjera, por masa më e madhe sigurisht është në këtu në Tiranë edhe e fillojmë nga Tirana, bashkitë e tjera do të vijojnë e kanë gati edhe eksperiencën edhe sistemin mjafton që ta venë atë në punë”, tha kryeministri Edi Rama.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj bëri një prezantim të procesit të aplikimit dhe prodhimit të kartës, ndërsa theksoi se brenda korrikut vetëm në Tiranë do të pajisen rreth 80 mijë studentë me këtë dokument. “Nga e hëna bëhet aktive, do kenë edhe versionin elektronik. Thjesht do e skanojnë, nëqoftëse u humbet karta fizike, ose në se preferojnë që të kenë një gjë më pak në xhep. Më shumë është sistemi që ka rëndësi se sa cipa e plastikës”, tha Veliaj.

Ai theksoi se kushdo që pajiset me kartën e Studentit do kenë mundësi të aksesojë shërbimet që ofrohen jo vetëm në institucionet publike, por edhe në një sërë rrjete dyqanesh apo subjekte të tjera private që kanë pranuar të bashkëpunojnë. “Secila prej gocave ose prej studentëve ka një monitor pasqyrë, pra shikon çfarë po bën dhe punonjësja jonë. Një pjesë e madhe e stafit që kemi marrë për karta, janë vetë studentë, pra vetë punojnë si staf. I japin një aprovim fotografisë. Merret një kartë bosh, fillimisht skanohet barkodi, që pastaj mund të përdoret në çdo dyqan dhe në çdo shërbim tjetër. Pastaj vihet për printim me të dhënat e çdo studenti, ku jep të dhënat personale, zgjedh sa herë do që të informohet për ofertat”, shtoi Veliaj.

Në çdo fakultet të çdo universiteti do të pozicionohen dy operatorë, të cilët lehtësojnë procesin e emetimit të kartës, duke nisur nga informacioni i përgjithshëm, plotësimi i të dhënave, e deri te lëshimi i kartës. Për këtë qëllim pranë fakulteteve janë shpërndarë pajisjet e nevojshme për aplikimin dhe prodhimin e kartës. Karta lëshohet pa pagesë dhe do jetë e rinovueshme për një vit. Ajo në pjesën e pasme ka një barcode të caktuar dhe do të ketë akses në të gjitha institucionet apo subjektet e tjera, të cilat në ambientet e tyre kanë të afishuara stikerat me logon karta e studentit.