Refuzohet padia e Ahmetit dhe Xhaferit për shpifje kundër Bogoevskit

Shpërndaje

Gjykata e Apelit të enjten ka sjell vendim të plotë fuqishëm në rastiN për shpifje, për padinë e Ali Ahmetit dhe Musa Xhaferit kundër ish-agjentit Sllobodan Bogevskit për dëshminë e tij para organeve hetuese amerikane, ku i akuzon për mitmarrje në rastin “Magjar Telekom”, raporton gazeta KOHA.

Pas ankesës së të paditurit Sllobodan Bogoevski, Gjykata e Apelit e ka aprovuar ankesën dhe i ka refuzuar akuzat e të dy paditësit – Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferi, gjegjësisht ka gjykuar se Bogoevski nuk ka shpifur me atë që ka dëshmuar kundër Ahmetit dhe Xhaferit. Tanimë i vetmi mjet juridik që mbetet në duart e Ahmetit dhe Xhaferit, meqë nuk mund të ankohen, pasi që është vendim i plotfuqishëm, është të dorëzojnë kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme, transmeton gazeta KOHA.

Në padinë e Ahmetit dhe Xhaferit adresuar Gjykatës Themelore Shkup 2, e cila është përgjegjëse për shpifje dhe fyerje, shkruan se Bogoevski atë që e ka thënë para organeve hetuese amerikane, nuk është e saktë dhe se është shpifje ajo që është thënë nga Bogoevski për to.

Bogoevski ndërkohë kishte thënë se edhe Ahmeti dhe Xhaferi kanë marrë pjesë në rastin “Magjar Telekom” dhe se kanë keqpërdorur pozitat e tyre së bashku me ish-kryeministrin Vllado Buçkovski, të prolongohet vendimi për operator të tretë të telefonisë celulare në vitin 2005.

Me këtë vendim, gjykata nuk ka konstatuar se janë apo jo të vërteta pretendimet e Bogovskit, por se në këtë rast nuk është shpifur ndaj Ahmetit dhe Xhaferit. Përndryshe, në dëshminë e tij para organeve hetuese amerikane për rastin “Magjar Telekom”, Bogoevski mes tjerash ka thënë se dy funksionarë të BDI-së kanë marrë ryshfet nga 2.5 milionë euro. Ahmeti dhe Xhaferi më pas e kanë paditur Bogoevskin për këtë deklaratë dhe kanë kërkuar dëmshpërblim nga 90.000 euro për shpifje dhe shkaktimin e “stresit”. (koha.mk)