Maqedoni

Tetova akoma me rrjet të vjetruar të ujësjellësit

Shpërndaje

Ende nuk ka asnjë informacion se në Tetovë do të ndërrohet sistemi i ujësjellësit brenda në qytet, një sistem mjaft i vjetruar që ende shkakton shumë telashe. Në shumë lagje të Tetovës apo në rrugë kryesore ka shumë defektet në rrjetin e ujësjellësit të Tetovës, dhe tashmë këto defekte janë shpeshtuar dukshëm si pasojë e temperaturave të ulëta, shkruan gazeta Koha. Për pasojë ka ndërprerje të shpeshta të furnizimit me ujë në shumë lagje të Tetovës.

Këtë e konfirmojnë edhe në Njësinë e ujësjellësit dhe kanalizimit në Tetovë. Qyteti i Tetovës ka një rrjet të vjetër të ujësjellësit kryesor gati se 50 vjet dhe defektet në pjesë të ndryshme të qytetit të Tetovës janë të zakonshme në të gjitha periudhat e vitit. Më vështirë është në muajt e parë të pranverës dhe në vjeshtë, kur rritet sasia e prurjeve të ujit në sistemin e ujësjellësit, dhe i njëjti nuk mund të mbajë sasi të madhe të ujit, dhe kjo bën që të ketë defekte të njëpasnjëshme në të gjitha pjesët e qytetit të Tetovës pa dallim.

Nga NPK-ja thonë se defektet ndodhin edhe kur temperaturat nuk janë të ulëta. Ata njoftojnë se zakonisht probleme ndodhin nga kyçjet individuale. Ndërmarrja Publike Komunale por edhe Komuna e Tetovës nuk kanë kapacitete që të ndërtojnë tërë sistemin e ri të ujësjellësit. Sipas informacioneve ata kërkojnë rrugëdalje për të arritur tek një zgjidhje që brenda në qytet të mos ketë defekte dhe ndërprerje të shpeshta të ujit nëpër lagje të caktuara.

“Ne si Ndërmarrje nuk kemi mjete që të realizojmë një projekt aq të madh, sepse nevojiten rreth 3 milion euro, apo më shumë që të ndërtohet një rrjet i tillë. Po ashtu mundësi nuk ka as Komuna që të fillojë një ndërtim aq kapital. Prandaj, si variant kemi edhe fondet ndërkombëtare, por në ndërkohë, në lagjen Murat Baftjari në Tetovë ne kemi vendos sistem të ri të shpërndarjes së ujit. Në këtë drejtim mendoj se do të shkohet edhe në lagjet tjera, atje ku do të vendoset asfalt i ri, do të vendoset sistem i ri i ujësjellësit”, deklaroi Xhelal Ceka, drejtor i Ndërmarrjes Publike Komunale Tetovë-Tetovë.

Sipas informacioneve zyrtare, ujësjellësi i parë për Tetovën është ndërtuar në vitin 1930 nga vendi i kaptazhit në afërsi të fshatit Shipkovicë me kapacitet prej 30 litra në sekondë. Ujësjellësi i dytë për qytetin e Tetovës është ndërtuar në vitin 1956 në vendin e kaptazhit Kodra e Diellit në largësi prej 8 kilometra nga qyteti me kapacitet prej 36 litra në sekondë. Kaptazhi i tretë është ndërtuar në vitin 1966 në lokalitetin Kodra e Diellit me kapacitet prej 83 litra në sekondë. Në ndërkohë, në këtë periudhë pas fillimit të shkrirjes së borës në viset malore, rritet sasia e ujit dhe kjo shkakton shpeshherë edhe presion më të madh që gypat vështirë e përballojnë. Në këtë kohë, në ditë ka shumë defekte brenda 24 orëve, kurse në kohë normale ka 3-4 defekte në ditë.

“Rregullisht ka defekte kurse më keq është kur ka rritje të sasisë së ujit në ujësjellës. Atëherë ndodhin defekte gjithandej në qytet. Kjo është sepse kemi një rrjet të vjetër mbi 50 vjeçar të instaluar në qytet. Gjatë kohës së rritjes së ujit ky sistem nuk duron prurje më të mëdha dhe shkaktohen defektet. Në këtë periudhë regjistrohen edhe 30 defekte brenda një dite, dhe ne si ndërmarrje nuk kemi kapacitet që të sanojmë apo riparojmë këto defekte”, deklaroi Ceka.

Nga Komuna kanë thënë se janë në kërkim të fondeve për ndërtimin e ujësjellësit brenda në qytet, por nëse eventualisht fillojnë punët për gazifikimin, atëherë me siguri ndërrimi i gypave të vjetër me të rinj do të fillojë pas përfundimit të rrjetit të gazifikimit./Koha/