Zyrtari i AAK-së: Taksa duhet të bëhet 1000 për qind, ata nuk kuptojnë gjuhë tjetër! (Video)
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës – dega e Beneluksit, Edvik Abdullau, nuk kursen fjalët përkrahëse për kryetarin e partisë së tij dhe kryeministrin kosovar, Ramush Haradinaj. Në intervistën ekskluzive për Lajm.Tv, të zhvilluar në Bruksel, qytetin ku jeton dhe menaxhon biznes, ai ka komentuar presionin që po i bëhet qeverisë kosovare për heqjen e taksave ndaj produkteve serbe. Abdullau thotë se vendimi për taksat duhet të ndryshojë, por duke ia shtuar një zero mbrapa, me qëllim që taksat të rriten nga 100 në një mijë për qind. Me prejardhje është nga Tërnoci i Bujanocit dhe shpreh keqardhje që vendimi për taksën dëmton paksa edhe bashkëvendasit e tij nga Lugina e Preshevës. Megjithatë vlerëson se është sakrificë që ja vlen të bëhet, për t’i dhënë mësim Serbisë.
“Unë jam për taksën 1.000 për qind. Е them haptazi, i kam shkruar edhe kryeministrit se serbosllavët, ose rusët nuk e kuptojnë gjuhën e lehtë. Më vjen keq për bashkëkombasit e mi nga Tërnoci i Madh, Presheva, Medvegja, por çdo herë dikush duhet të sakrifikojë”, thekson Abdullai.
Nuk është vetëm politika dhe AAK që bashkon Abdullaun me Ramush Haradinajn. Janë sportet luftarake një pikë tjetër e përbashkët mes tyre. Abdullai është ish kampion i shumëfisht botëror në Kik-Boks, kurse për momentin kryetar i federatës belge të kik-boksit. Edhe pse ka garuar për Belgjikën, ai çdo herë në ring ka dalë me flamurin kuq e zi dhe me himnin shqiptar.
“Është e vërtetë. Unë e kam zyrtarizuar edhe federatën shqiptare, edhe atë dardane. Gjithmonë kam luftuar me flamurin shqiptar dhe hymnin kombëtar, kuptohet duke respektuar edhe flamurin belg, shtetin për të cilin kam garuar. Gjaku gjithmonë mbetet shqiptar”, shton ai.
Si kampion, Edviku ka qenë jo vetëm në qendër të vëmendjes së mediumeve shqiptare, por edhe atyre belge. Poashtu kanë shkruar edhe mediumet serbe, duke botuar tekste me tituj ”Tërnoci ka kampion botëror në kik-boks, Beogradi nuk ka”. Paralelisht me karrierën e vet, çdo herë ka promovuar edhe përkatësinë kombëtare. Sot udhëheq një shkollë për stërvitje, por ka dy parime: nuk pranon të stërvitë sllavët dhe nuk pranon të stërvitë ekstremistë politikë dhe fetarë.