‘Fol pa pare’, nga e hëna tarifat e roamingut në Ballkan ulen për 90%

Shpërndaje

Qytetarët të cilët nga e hëna do të udhëtojnë në Shqipëri, Bosnjë, Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi do të paguajnë çmime shumë më të ulëta për bisedat telefonike në raoming. Agjencia e komunikimeve elektronike (AKE) vendosi që çmimet e raomingut me vendet e Ballkanit Perëndimor të ulen për 90%. Sipas vendimit të miratuar me datë 25 të këtij muaji dhe që do vlejë nga 1 korriku, nëse gjendeni në njërin nga këto vende për një thirrje të nisur do paguani vetëm 4,3 denarë për minutë, e që deri më tani kushtonte 64 denarë për një minutë. Për një minutë në raoming për thirrje të ardhur, nga e hëna do paguhet 2.46 denarë për dallim nga 25 denarë sa është tani. Çmimi i porosive SMS nga 14 denarë ulet në 2.1 denarë. Ulje më të madhe kanë çmimet e internetit në raoming. Një megabajt internet që tani paguhet 218 denarë, nga 1 korriku do kushtojë vetëm 1.5 denarë.

Sipas këtij vendimi, operatorët duhet t’i ulin çmimet e shërbimeve të rregulluara në raoming me pakicë për të gjithë abonentët”, thonë nga Agjencia e komunikimeve elektronike.

Sipas marrëveshjes rajonale për uljen e çmimeve në raoming të vendeve të Ballkanit Perëndimor që u nënshkrua në prill të këtij viti, nga viti 2021 raomingu do të hiqet tërësisht. Ndryshe, sipas anketës së AKE-së të zhvilluar në fund të muajit maj, 16% e abonentëve janë ankuar se kanë fatura të larta joreale gjatë shfrytëzimit të raomingut. Shumica e atyre që kanë marrë fatura të larta për raoming vlerësojnë se kjo është për shkak të përdorimit të internetit. Gjysma e përdoruesve të raomingut rajonal vlerësojnë se ai është jo edhe aq i lirë. Sipas të dhënave të AKE-së në 12 muajt e fundit, 18% e popullatës në shtet ka përdorur raoming./alsat/